Gazeta Si – Armëpushimi i shpallur një ditë më parë nga Putini (i njëanshëm, i papranuar nga Kievi) për Krishtlindjet Ortodokse dhe që hyri në fuqi në mesditë me orën e Moskës (10:00 në Europë), u shkel nga rusët që kanë bombarduar Kramatorskun. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve AFP.
Nga ana tjetër, Ukraina ka sulmuar zonën e Donjeckut me zjarr artilerie, sipas raporteve të agjencisë ruse të lajmeve “Tass”.
“Regjimi i Kievit vazhdoi të bombardojë vendbanimet dhe pozicionet e trupave ruse, pavarësisht respektimit të regjimit të armëpushimit nga forcat e armatosura të Moskës.” Kështu denoncoi Ministria ruse e Mbrojtjes në një konferencë, ku renditeshin zonat e sulmeve ukrainase mëngjesin e sotëm pas hyrjes në fuqi, në orën 12 me orën lokale, të armëpushimit të njëanshëm të shpallur dje nga Kremlini për Krishtlindjet Ortodokse. “Pozicionet e Forcave të Armatosura të Ukrainës, nga të cilat u kryen bombardimet, u goditën me zjarr të kundërt nga trupat ruse”, shtoi ministria.
Armëpushimi, për të festuar Krishtlindjet Ortodokse hyri në fuqi në mesditën e sotme nga Moska, për të zgjatur deri në mesnatën (22:00 në Europë) e 7 janarit.
Megjithatë, sipas presidentit ukrainas Zelenski, “armëpushimi u nevojitet vetëm rusëve për të përgatitur sulme të reja”.
Qeveria e Kievit e quan iniciativën “propagandë” dhe “një kurth cinik”. Edhe BE-ja foli për një vendim të rremë dhe hipokrit.
Për Bidenin, udhëheqësi i Kremlinit “po kërkon vetëm pak oksigjen dhe e kupton që raketat ‘Patriot’ punojnë”.
Sakaq, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka vizituar një bazë ushtarake ku janë vendosur trupat ruse në vendin e tij, tha ditën e sotme ministria e mbrojtjes.
Gjatë takimit, Lukashenko dhe një përfaqësues i paidentifikuar nga ushtria ruse diskutuan stërvitjet e përbashkëta ushtarake të dy vendeve.
“Në këtë fazë, njësitë e Forcave të Armatosura të Federatës Ruse janë të gatshme për të kryer detyrat sipas synimit”, – tha përfaqësuesi.
Bjellorusia, e cila është aleate e ngushtë me Moskën, tha të enjten se do të marrë më shumë armë dhe pajisje nga Rusia ndërsa të dyja forcojnë bashkëpunimin e tyre ushtarak, duke nxitur frikën se ajo mund të përdoret si një stacion për të sulmuar Ukrainën nga veriu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje