Politike

Qeveria këmbëngul për amnistinë fiskale: Ligji mbyll hapësirat për pastrimin e parave

Gazeta Si – Qeveria është e vendosur për ta miratuar brenda këtij viti draftin e përgatitur për amnistinë fiskale, edhe pse faktori ndërkombëtar është shprehur skeptik.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, bashkë me kolegun e tij të Drejtësisë Ulsi Manja, kanë qenë në një linjë për këtë çështje gjatë konferencës për shtyp për arritjet dhe objektivat në fushën e rendit dhe drejtësisë të vitit 2022.

Çuçi u shpreh kjo amnisti do të krijojë mundësinë që paratë e fituara me djersë nga emigrantët shqiptarë për 30 vjet, t’i investojnë në vendin e tyre.

LEXO EDHE:
– DailyMail: Amnistia Fiskale do ta bëjë Shqipërinë ‘parajsë’ për bosët e drogës
– Rama: Duhet të thyejmë paragjykimet për emigrantët shqiptarë. Nuk kemi hequr dorë nga Amnistia Fiskale

Ai shtoi se të përjashtuar nga kjo kategori janë personazhet e botës së krimit, politikanë dhe zyrtarë.

“Amnistia fiskale, nëse ti pyet që lidhet me pastrimin e parave, është e kundërta, amnistia fiskale do krijojë mundësinë që para të cilat janë fituar me djersë nga shqiptarët për 30 vite që kanë punuar në emigracion, do t’i jepet një mundësi që ato të investohen në vendin e tyre. Nga ana tjetër, është e qartë se kjo mundësi përjashton totalisht personazhet e botës së krimit, politikanë dhe zyrtarë”.

Çuçi shtoi se “beson që vete mekanizmat ligjorë, bëjnë të mundur që të kontrollohet fenomeni”.

Në të njëjtën gjatësi vale ka qenë edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili tha se për këtë ligj janë në diskutim me Bashkimin Europian dhe se nuk e kanë me ngut.

“Projekti i Amnistisë Fiskale është një  projekt i shumë diskutuar dhe debatuar. Ky projekt ka të bëjë me legalizimin e punës së ndershme të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit”.

Manja theksoi se qeveria është në diskutime të vazhdueshme me BE, “nuk kemi ngutje, sepse duam të miratojmë një ligj, i cili mbyll të gjitha shtigjet që ngrihen rreth tij dhe që kanë të bëjnë me pastrimin e parave nga bota e krimit. Në vlerësimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ligji ka të gjitha mekanizmat  e duhur për të mbyllur shtigjet e pastrimit të parave” u shpreh ministri i Drejtësisë.

Ndërkohë BE ka marrë hapa konkretë, duke sjellë përfaqësuesin e saj që ka kontaktuar me zyrtarët, por dhe po shqyrton draftin.

“Në fillim të muajit dhjetor ka qenë prezent në Tiranë një ekspert i fushës që na është vënë në dispozicion nga BE, – vazhdoi Manja. – Ka ardhur e ka marrë kontaktet me autoritete shqiptare e do të përpilojë një raport lidhur me ligjin për të gjitha këto shqetësime që ngrihen për pastrimin e parave. Jemi në diskutim e sipër për këtë ligj dhe është një ndër objektivat e vitit 2023”.

Deklaratat e ministrave vijnë në një kohë kur ndërkombëtarët nuk i kanë kursyer paralajmërimet e tyre dhe skepticizmi i tyre për realizimin e amnistisë fiskale në Shqipëri, të cilat vijojnë të mos ndikojnë në qeverinë e drejtuar prej Edi Ramës.

Sipas nismës, të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë territorit do të mund të ligjërojnë deri në 2 milionë euro, pavarësisht sesi i kanë krijuar të ardhurat.

E njëjta shumë është e lejuar edhe për bizneset qoftë subjekte apo persona fizik. Për kalimin në bankë të shumave do të paguhet një tatim që shkon nga 4 deri në 10 për qind, dhe pas kësaj nuk do të ketë më procedim hetimor, tatimor apo administrative duke u garantuar ruajtjen e sekretit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë