Bota

Biden, gjenden dokumente të tjera sekrete. Republikanët nisin hetimet

Gazeta Si – Ekipi ligjor i Joe Biden zbuloi një grup tjetër dokumentesh qeveritare, duke përfshirë disa të klasifikuara, në një vend të dytë pas atyre të gjetura në një ish zyrë që ai përdorte në Uashington.

Nuk është e qartë se ku dhe kur u zbuluan dokumentet e reja, por gjetja pritet të rrisë shqetësimin ndaj Bidenit dhe presionin republikan ndaj presidentit, pasi ai e quajti Donald Trump të papërgjegjshëm për ruajtjen e qindra dokumenteve të ndjeshme, disa tepër sekrete, në rezidencën e tij në Mar- a-Lago.

Republikanët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, hapën të mërkurën hetimet e premtuara prej kohësh ndaj presidentit Joe Biden dhe familjes së tij.

Ata pritet të kërkojnë të dhëna nga Departamenti i Thesarit dhe ish drejtuesit e rrjetit Twitter ndërsa hedhin bazat për seancat dëgjimore publike.

“Tani që demokratët nuk kontrollojnë gjithçka në Uashington, po rikthehet mbikëqyrja dhe llogaridhënia”, u shpreh përmes një deklarate republikani James Comer, i cili drejton Komisionin për Mbikëqyrjen dhe Reformën.

Komisioni i udhëhequr nga republikanët i dërgoi Departamentit të Thesarit një seri kërkesash lidhur me transaksionet financiare nga anëtarë të familjes Biden që kishin ngritur shqetësime për aktivitete të dyshimta.

Këto raporte janë rutinë, ndërkohë që transaksionet me shuma të mëdha parash ngrenë alarmin në mënyrë automatike, dhe në vetvete nuk përbëjnë prova për aktivitete të paligjshme.

Ligjvënësit gjithashtu po kërkojnë dëshmi nga shumë ish-drejtues të rrjetit Tëitter, të përfshirë në mënyrën se si rrjeti social e trajtoi lajmin e gazetës “Neë York Post” tetorin e vitit 2020 lidhur me zotin Hunter Biden, djalin e vogël të presidentit. Republikanët thonë se lajmi u bllokua për arsye politike.

Menjëherë pas marrjes së kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve, republikanët po hedhin hapat drejt një ballafaqim politik shpërthyes me Shtëpinë e Bardhë, që mund të rrëmojë thellë në punët e familjes së presidentit dhe t’u japë formë kontureve të garës presidenciale të vitit 2024.

Zbulimi i parë i dokumenteve kishte ndodhur në “Qendrën Penn Biden për Diplomaci dhe Angazhim Global” në Uashington.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë