Politike

Abazoviç promovon librin në Tiranë, Rama: Është fenomen në politikën ballkanike

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ishte në Tiranë për promovimin e librit të tij “Kritika e Etikës Globale”.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm gjatë promovimin e librit, vlerësoi figurën e Abazoviç duke e cilësuar si fenomen në politikën ballkanike.

 “Do ishte mungesë sinqeriteti tu thosha se kam lexuar librin, por ka qenë një surprizë shumë e bukur. Se dija se Dritani ishte kaq thellë në këtë fushë dhe kaq serioz në këtë reagim. Unë jam këtu për t’ju thënë dy fjalë të cilat nuk do të jenë domosdoshmërisht për librin por për autorin dhe shpresojmë se do t’ju ndihmojmë të jenë më të nxitur që të merrni dhe ta lexoni librin.

Libri fillon me një copëz të shkëputur nga Fausti i Gëtes. Mishërimi i kësaj kredoje i kredos së veprimit. Më duhet ta them që unë jam shumë i privilegjuar dhe kështu do të ndihet çdo njëri.

Është një privilegj të jesh mik me një person i cili është një fenomen në politikën ballkanike. Është një fenomen i veçantë dhe i pakrahasueshëm me askënd tjetër. Falë veprimit ka arritur të guxojë në diçka që unë nuk di dikë tjetër të ketë guxuar në krijimin e një lëvizje politike e cila është përtej etike. Ka krijuar një hapësirë ku pavarësisht përkatësisë etnike njerëzit bashkohen si qytetarë të të njëjtit vend. Dritani përputh përmes veprimit sensin e tij etik ndaj problemeve të shoqërisë dhe të ardhmes duke u ngritur me shumë guxim përmbi dasitë dhe duke ndërtuar një urë” tha Rama.

Shefi i qeverisë malazeze u nderua gjithashtu edhe me titullin “Doctor Honoris Causa”.

Abazoviç: Ndikimi rus në Mal të Zi prezent prej dekadash

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi Dritan Abazoviç foli për gazetarët në Tiranë mbi prezencën e ndikimit rus në Mal të Zi teksa theksoi se mënyra më e mirë për ta luftuar është rritja influencës europiane dhe amerikane.

Ai deklaroi se situata në Mal të Zi lidhur me influencën ruse është menaxhuar mirë.

“Është prezent me dekada dhe historikisht. Ka dhe gjëra shqetësuese por unë mendoj se e kemi menaxhuar shumë mirë situatën lidhur me ndikimin rus. Kemi shpallur non grata shumë prej diplomatëve rusë dhe do e menaxhojmë dhe në të ardhmen. Mënyra më e mirë për t’u luftuar influenca ruse është më shumë influencë europiane, influencë nga SHBA”, tha Abazoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë