Në konferencën e parë për shtyp për këtë vit. Kryetari i PD-së, Sali Berisha është ndalur tek zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në kampin e mazhorancës nga vjedhja e pastrueses Rozeta Dobi e deri tek Erion Veliaj.
“Ata që do shkruajnë skenarin e filmit në të ardhmen, e sigurt që po gjetën artistët, do marrin një çmim ndërkombëtar.
Rozeta, hajdute apo thjesht iu dhanë ato para, për t’i mbajtur në mirëbesim.
Po të marrim variantin e kasafortës, kodin asaj nuk ia ka dhënë asnjë njeri përveç Alda Klosit.
Magjistare e bëni ju Rozetën, që të dijë të zbërthejë kasafortat? Magjistare nuk ishte ajo, ishte pastruese.
Nëse është histori e eurove në dyshek, përsëri është bashkëpunim mes Aldës dhe Rozetës.
Pse ndodhi ky bashkëpunim? Arben Ahmetaj është kandidat për në kokërr të burgut. Pas Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit. Natyrisht, në universin e interceptimeve telefonike të tij, Alda dilte në radar.
Pra, pse unë u ndala në këto? U ndala sepse qeveria po bën gjithçka për të mashtruar qytetarët në këtë hetim.
Se shifra 120 mijë u caktua nga qeveria për t’u thënë nga Alda. Kurse shuma e madhe në tubat e aspiratorit u zbulua rastësisht. Ato të gjitha janë paratë e Aldës, të Arben Ahmetajt, të Edi Ramës.
Ato janë paratë e djegësave. Edi Rama e ka shkarkuar atë vetëm pesë ditë, më datë 20, në mënyrë që ajo të mos largohej nga detyra si zyrtare e lartë.
Por, edhe njëherë, Rozeta ose duhet mbrojtur, ose duhet lënë e lirë. Paratë ajo i ka marrë në mirëbesim, siç del.
Cili është ai që mund të thotë se Rozeta gjeti kodin? Nuk ka njeri që e beson këtë.
Nëse do kishte marrë një specialist për dekodimin, gjurmët do ishin aty, kamerat do tregonin gjithçka.
A ka një gjë të tillë? Nuk ka një gjë të tillë.
Pra kemi të bëjmë një bashkëpunim mes Aldës dhe Rozetës për të larguar paratë nga shtëpia e Aldës. Qoftë me kasafortë, qoftë me dyshek…”, tha Berisha. Ai u fokusua edhe tek kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Përjashton edhe vëllanë nga vjedhjet. Ka vendosur të vjedhë direkt nga arka e bashkisë në arkën e tij.
Filloi ndërtimin dhe e trumbetoi me të madhe të rrugës ‘Xhon Belushi’.
Ndërkohë shpall tenderin që do mbyllej 20 ditë më vonë, më datën 9 janar, për asfaltimin e asaj rruge.
Çdo njeri do mendonte se ky është një tender i paracaktuar. Kjo ishte një vjedhje e tmerrshme.
Por jo, është më keq.
Nuk po ndërtonte një kompani private rrugën, por po ndërtonte bashkia. Më datë 9, Veliaj do shpallte veten fitues me një emër të ri. Dhe do fuste gjysmë milionë euro në xhep”, tha ai.
Lidhur me skandalin e fundit në ministrinë e Financave, Berisha tha:
“Në treg është edhe një skandal tjetër, për të cilin ka dy variante dhe ne po e ndjekim.
Sipas njërit variant, Ministria e Financave dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj ka paguar dy herë të njëjtin objekt.
Sipas një varianti tjetër, kjo nuk është e vërtetë. Ai ka zbatuar një vendim gjykate dhe kjo është hakmarrje mes zyrtarësh në nivele të dyta.
Nëse është varianti i parë, është një krim i shëmtuar. Nëse është varianti i dytë, përbën përsëri një krim shumë të rëndë.
Sepse organizohen kurthe që nuk i shërbejnë luftës kundër korrupsionit, por të kundërtës.
Sapo të bëjmë verifikimet, do kemi qëndrimin përfundimtar”, tha ai.
Berisha iu përgjigj medias lidhur me debatin e fundit për shkarkimin e Enkelejd Alibeajt një nismë që e ka marrë përsipër Ervin Salianji.
“Asnjë shkelje. Por jemi para një rrethane të tillë nënkryetari i PD-së që kryesonte grupin parlamentar Luciano Boci ka vendosur që të kandidojë për qytetar të parë në bashkinë e Elbasanit si kandidat PD-së për Elbasan.
Ai nuk mund të mbaj më mandatin e deputetit dhe për rrjedhojë as atë të grupit parlamentar. Është krijuar një vakancë dhe në këtë kontekst Ervin Salianji është nënkryetar i grupit parlamentar. Do të respektohet vullneti i zgjedhësve nuk ka asnjë shkelje” u shpreh Berisha. Kreu i PD-së u pyet për debatin që mbetet në PD se kujt i takon logo në zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Ne nuk e kemi logon. Zyrtarisht e kemi logon. Absolutisht në çdo ligj të botës, e kemi logon.
Sepse ka një vendim gjykate që e njeh.
I gjithë problemi është këtu, Edi Rama nuk lejon regjistrimin e vendimit të gjykatës.
Kjo nuk do të thotë se nuk kemi logo, ne e kemi logon.
Gjykata ka vendosur. Vendimi i gjykatës për një parti është një kontroll i dokumentacionit dhe i parimeve nëse përputhet apo jo me Kushtetutën. Kaq. Nuk ka punë tjetër.
Ke ti objeksione që këto janë false, në çdo vend të botës ti hap proces tjetër.
Por palë në këtë proces nuk mund të bëhesh kurrë. Sepse nëse vendosim këtë praktikë, ne rrëzojmë çdo vendim gjyqësor.
Janë disa parime të paprekshme.
Këtu është gjithçka politike dhe ne do i japim zgjidhjen që meriton.
Zgjidhja do jetë revolucioni. Pa diskutim.
Nuk ka asgjë këtu, gjykatësi ka dhënë vendimin. Ne do i dalim zot vendimit, ligjit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje