Gazeta Si – “I keq dhe armiqësor.” Kur ai ishte vërtet brutal dhe besonte në spastrimin etnik, duke vrapuar nëpër Bosnjë së bashku me Tigrat e Arkanit me granatahedhësin mbi supe, Srdjan Goluboviç i adhuronte motoçikletat tip “Suzuki”.
Tani që është shëndoshur dhe beson se e ka pastruar ndërgjegjen, Goluboviç preferon modele të tjera: për shembull “Agusta Brutale S1078” – “e keqe dhe armiqësore”, shkruan ai në postime – me të cilën udhëton lart e poshtë fundjavën mes Vraçarit dhe Beogradi. I patrazuar. Pa u vënë re. I pandëshkuar.
“Pse ai njeri është i lirë të jetojë si të dojë?”, – pyet Alma Sabanoviç e indinjuar: tridhjetë vjet më parë, ai u shndërrua në njeriun e një fotoje simbolike të publikuar në revistën “Time” dhe që u ripublikua miliona herë.

Imazhi monstruoz i luftës. Ikona e ankthit. Një kujtim i zi, si Viet-Kongët të ekzekutuar në kokë në rrugët e Saigonit, Vietnam.
Fotoja e famshme tregon Goluboviçin me një palë syze të bardha në ballë, një pushkë në njërën dorë dhe një cigare relaksuese turistike horror në tjetrën, këmbën e tij të ngritur si në një skenë nga “A Clockwork Orange”, gati për të shkelmuar një grua, e cila sapo ishte qëlluar për vdekje në kokë. Gruaja quhej Tifa Sabanoviç dhe ishte nëna e Almës. Fotoja është shkrepur më 2 prill 1992.
Vendi ishte Bijeljina, ku ato ditë po bëhej spastrim etnik ndaj qindra myslimanëve: një masakër e përmasave të tilla që shtynte presidenten e atëhershme serbe të Bosnjës – të tmerrshmen Biljiana Plavsiç, e cila u dënua në Hagë dhe sot ajo ecën e lirë dhe e qetë nëpër rrugët e Beogradit – të puthë ish-kryetarin e bandës Arkanin para kamerave.

“Kur pashë se çfarë bënë Tigrat e tu në Bijelinë, – i tha ajo, – mendova: këtu janë heronjtë e vërtetë serbë!”.
Por pavarëisht gjithçkaje dhe kur kanë kaluar më shumë se 30 vjet, askush nuk i ka kërkuar kurrë llogari Goluboviçit për atë goditje me shkelm ndaj kufomave.
Tigri i vjetër, të cilin bashkëpunëtorët e tij e quanin “Kapiten Maks”, pas tridhjetë vjetësh është ricikluar me emrin artistik “Dj Max”.
Një jetë e dytë. “Dj Max” marshon me vrull në mbrëmje dhe luan hitet muzikore. Dhe pa makthe dhe keqardhje, ai e bën rininë serbe të kërcejnë të shkujdesur dhe të pavetëdijshëm.

Ka Tigra që shpresojmë se do të zhduken përgjithmonë. Ai, një ushtar, i cili në masakrat e viteve ’90 u bë i famshëm për të përçudnimin e viktimave, kishte fatin e përbashkët që të mos përfundonte kurrë në gjyq dhe të mos bënte asnjë ditë burg.
Ishte pjesëtar i bandës së Arkanit, me këtë të fundit që u vra një pasdite në vitin 2000 në “Hotel Intercontinental” në Beograd.
Bishat e tjera kanë marrë rrugë të ndryshme: disa përfunduan duke punuar në stafin e presidentit aktual serb Vuçiç, disa u bashkuan me kryqin dhe murgjit ortodoksë në kisha, disa komplotuan për atentate të tjera, disa iu përkushtuan një karriere aktrimi në drama televizive, ndërsatë tjerë u vranë nga klanet rivale në përplasjet mes bandave.

Goluboviç bleu një qen dhe një shtëpi në vendlindjen e tij Vraçar, u martua dhe themeloi kompaninë diskografike “Ultra Groove Records”.
Dhe në disko ndërtoi suksesin e tij të vogël: në vitin 1996, ai tashmë po performonte për mijëra njerëz të pasditeve të muzikës elektronike në parkun Kalamegdan të Beogradit.
Në Novi Sad, nga viti 2013 deri në vitin 2016, ai ishte animator i një prej festivaleve më të mëdha muzikore në Evropë, Exit, nga i cili u hoq kur organizatorët kuptuan se e kaluara e tij përplasej shumë me paqen dhe dashurinë e tyre ideale.

Me të – ashtu si qindra kriminelë të luftërave ballkanike, sot që ecin në të njëjtat rrugë të viktimave të tyre – Gjykata Ndërkombëtare në Hagë nuk është marrë kurrë.
Dhe policia serbe e arrestoi (dhe e liroi) në vitin 2012, por vetëm për një histori droge dhe armëmbajtje pa leje.
Disa javë më parë, një gazetar i Rolling Stone, hoqi pluhurin nga historia dhe iu afrua “Dj Max” për të mësuar më shumë: përgjigjja ishte një paralajmërim përmes avokatëve: “Mjerë kush e publikon sërish atë foto”.

Sepse “ai imazh, – komenton Ron Haviv, autori i shkrepjes së famshme, – gozhdon përgjegjësinë e njerëzve ndaj veprimeve të tyre. Por akoma më shumë, përgjegjësinë e atyre që atëherë nuk bënë asgjë. Liderët politikë që e panë foton dhe nuk lëvizën aspak. Të cilët ishin dëshmitarë, por ata heshtën”.
Alma Sabanoviç, vajza e Tifës, nuk pret më drejtësi: Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë është shpërbërë dhe nuk do të ketë kurrë një gjykatës në Beograd, për sa kohë që Vuçiç dhe nacionalistët e djeshëm, janë në komandë.
I qetë dhe i paturpshëm, “Dj Max” një ditë të vitit 2008 postoi një skenë të lumtur në profilin e tij në Facebook: ishte koha për t’i thënë “po” martesës së tij.
Shumë e uruan. Por pati edhe një koment të ftohtë. Pak fjalë. Pothuajse një kërcënim: “Ti, boom! Do të vijë dhe momenti yt”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje