Politike

As me Alibeajn dhe as Berishën/ Veizaj lë mandatin: S’po i japim fund përçarjes. (Forcohet PDIU, Gëzim Ademaj futet në Kuvend)

Fatjon Veizaj, deputeti i PD-së për qarkun e Vlorës, ka dhënë dorëheqjen nga mandati.

Ende pa filluar sesioni i ri parlamentar, Veizaj ka përcjellë një njoftim të beftë në Kuvend.   

“Për fat të keq, prej një viti e gjysmë, Partia Demokratike nuk po ia del t’i japë fund përçarjes. As lidershipi dhe as deputetët e saj nuk po i përgjigjen interesit të demokratëve për ta bërë atë një forcë udhëheqëse, të respektueshme dhe fituese.

Vala e re e përjashtimeve në Partinë Demokratike ishte e tepërt. Mund të jetë një vendim taktik në funksion të numrave në grup, por vendimi ul edhe me tepër besueshmërinë dhe seriozitetin për të ardhmen grupimit vendimmarrës.

Kanë plot të drejtë demokratet në zemërimin, zhgënjimin, madje edhe sarkazmën e tyre. Të treja këto ndjesi i kam përjetuar gjatë këtyre ditëve.

Në këtë kohë të trazuar për Partinë Demokratike, jam përpjekur të mos e ushqej përçarjen, të qendroj pranë zgjedhësve, të respektoj bindjet e tyre, por zhvillimet e fundit kanë treguar se ndarja në Partinë Demokratike është e pakthyeshme”, shkruan Fatjon Veizaj i cili në përllogaritjet e fundit politike se kujt kahu i përket Alibeajt apo Berishës ai renditej tek grupi të pavendosurve.  

“Duke refuzuar kategorikisht përjashtimet nga njëra anë, por dhe mënyrën e përdorur nga individë të caktuar në kërkim pushteti personal, pa respektuar dinjitetin e deputetëve të zgjedhur  dhe me pasojë thellimin e përçarjes nga ana tjetër, kam vendosur të heq dorë nga mandati i deputetit.

Detyrën time si opozitar do të vazhdoj ta kryej me kohë të plotë, duke punuar me kandidatët e opozitës për një rezultat sa më të mirë në zgjedhjet lokale!”, shkruan Veizaj.  

Gëzim Ademaj pritet të zëvendësojë  Veizajn në parlament. Ademaj vjen nga radhët e PDIU-së si më i votuari poshtë listës me mbi 3200 vota. PDIU prej kohësh eshte distancuar nga PD-ja dhe deri më tash nuk ka asnjë kontakt me grupin e Berishës. Shpëtim Idrizi ka deklaruar se do të dalin të vetëm në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Vetë Gëzim Ademaj i pyetur nga media u shpreh se do të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së

“Nuk do jem i pavarur, do jem pjesë e grupit parlamentar të PD-së.

Nuk kam lidhje as të hershme as të vonshme politike, vij nga shoqëria civile, shpresoj për një bashkim të PD. Pa asnjë diskutim do jem në krah të opozitës, do jem përkrahës i çështjes çame” tha Ademaj


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë