Gazeta Si – Boris Pistorius është emëruar ministër i ri i Mbrojtjes në Gjermani, ka njoftuar Qeveria gjermane.
Ai është anëtar i Social-Demokratëve të kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe ka shërbyer si ministër i Brendshëm i landit të Saksonisë së Poshtme prej vitit 2013.
Atij do t’i duhet ta finalizojë projektin për modernizim të ushtrisë së Gjermanisë dhe të mbikëqyrë ndihmën e zgjeruar të armëve në Ukrainë, teksa kjo e fundit lufton pushtimin rus.
Pistoriusit do t’i duhet të thellohet menjëherë në punën e re. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloud Austin pritet të vizitojë Berlinin këtë javë dhe më pas të vizitojë edhe bazën ushtarake amerikane në perëndim të Gjermanisë.
Emërimi i tij vjen pas dorëheqjes së Christine Lambrecht nga ky post një ditë më parë.
Ky vendim i saj vjen pasi mediat gjermane kanë raportuar të premten se shefja e Mbrojtjes synon të japë dorëheqje pas mesazhit për Vitin e Ri, që e ka postuar në rrjetet sociale.
Në të, Lambrecht e ka përmendur luftën në Ukrainë, nën tingujt e fishekzjarrëve në prapavijë.
Anëtarët e partisë opozitare Unioni Demokristian (CDU) kanë bërë thirrje për dorëheqjen e saj.
Në deklaratën e dorëheqjes, Lambrecht ka përmendur “muaj të fokusit medial” mbi të, dhe se diçka e tillë ka ndërhyrë në debatin faktik për ushtrinë dhe politikat e Gjermanisë për sigurinë.
“Puna e vlefshme e ushtarëve dhe e shumë njerëzve në departamentin tim duhet të jetë në plan të parë”, ka thënë ajo./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje