Ne rrjet

Plani për të shpëtuar ullinjtë e Italisë me qen antidroge

Një sëmundje vdekjeprurëse dhe e vështirë për t'u zbuluar ka shkatërruar pemët e çmuara të ullirit në Italinë e Jugut për 10 vjet. Një skuadër shumë e stërvitur e qenve antidrogë mund t'i shpëtojë ato.

Një mëngjes me diell dimri, trajneri i qenve Mario Fortebraccio tregon me gisht një rrënjë ulliri. Në pritje të atij sinjali, Paco, një Labrador i bardhë trevjeçar, nxiton nëpër rreshtin e ullinjve me kokën e anuar, duke nuhatur secilën pemë në rrënjë. Qeni po kërkon me kujdes diçka që njerëzit nuk mund ta kuptojnë.

“Nuk bëjnë asgjë nëse nuk ka shpërblim”, thotë me buzëqeshje Fortebraccio. Pas disa sekondash, pasi kishte përfunduar detyrën e tij, Paco u kthye te trajneri, ngriti këmbën për të urinuar në një bimë aty pranë, tundi bishtin dhe kërkoi një ëmbëlsirë pak krokante.

Në Vivai Giuranna, një serë me mbi një milion bimë në Parabita, në rajonin jugor italian të Pulias, Paco është duke kërkuar për Xylella fastidiosa, një lloj bakteri që ka shkatërruar fushat e ullirit të Italisë jugore për dekadën e fundit. Paco dhe disa qen të tjerë janë pjesë e një ekipi shumë të trajnuar të qenve që zbulojnë bakterin.

“Këto qen kanë diçka unike”, thotë Angelo Delle Donne, kryeinspektori i shëndetit të bimëve për provincën e Leçes, i cili ka luftuar me Xylella që kur u zbulua në Pulia në 2013.

Xylella fastiodiosa është një bakter që bllokon ksilemën (enët që mbart ujin nga rrënjët te gjethet) të pemëve dhe bimëve dhe ngadalë i mbyt ato. Bimkat, një insekt i zakonshëm, përhapin sëmundjen. Kur kafshojnë një gjethe të infektuar, bakteret lëvizin në pështymën e tyre dhe insektet e transmetojnë sëmundjen kur ushqehen me bimën e shëndetshme.

Labradori nuk është raca e vetme që ka një nuhatje të shkëlqyeshme.

Nuk ka kura të njohura për këtë sëmundje dhe pasi infektohet, bima thahet ngadalë (megjithëse disa bimë të infektuara arrijnë të mbijetojnë pa shfaqur simptoma). Ekzistojnë disa lloje të Xylella dhe së bashku ato prekin 595 specie bimore në mbarë botën. Gjatë shekullit të kaluar, Xylella ka shkatërruar fushat e portokallit në Brazil, vreshtat në Kaliforninë jugore dhe dardhët në Tajvan. Më pas, 10 vjet më parë, Xylella arriti te ullinjtë e Pulias.

Me 60 milionë pemët e saj të ullirit, Pulia prodhonte deri në 50% të vajit të ullirit të Italisë, por në vetëm pak vite, Xylella infektoi dhe thau 21 milionë pemë, shumë prej të cilave ishin disa shekullore.

Sot, një det i pafund me trungje pemësh të thara mbulon pjesën e poshtme të rajonit.

Mauro Giuranna, pronari i Vivai Giuranna, ka përvojë personale të një “sulmi” të Xylella. Kur ekspertët gjetën bimë të infektuara në serën e tij, atij iu desh të asgjësonte bimë me vlerë rreth 1 milion euro.

“Ne ishim shumë sipërfaqësorë në përballjen me Xylella në vitet e para”, thotë Giuranna. “Nuk kanë mbetur më ullinj shekullorë”.

Ai thotë se kontrollet duhej të ishin më të forta. Megjithatë, guvernatori i rajonit, Michele Emiliano ishte fillimisht skeptik për një lidhje midis Xylella dhe tharjes së shpejtë të pemëve të ullirit.

Shkencëtarët që punonin në përpjekjen për të ndaluar bakteret u akuzuan për përhapjen e vetë baktereve (përfundimisht, të gjitha akuzat u rrëzuan). Italia u hetua nga Komisioni Europian për një përgjigje joadekuate.

Një zëdhënës i Emilianos i tha Future Planet (BBC) se ai kurrë nuk kishte miratuar teori anti-shkencore ose konspirative.

“Kishte një aksion për të dëgjuar të gjithë, u organizuan tubime publike për të folur për këtë çështje”, tha zëdhënësi.

Përgjigja e Italisë tani është përmirësuar që nga ditët e para pas infeksionit, duke marrë masa të tilla si monitorimi i sëmundjeve në shkallë të gjerë . Megjithatë, Xylella vazhdon të përhapet nëpër fushat e ullirit të rajonit.

Ndërsa bakteret vazhdojnë të përhapen drejt veriut me një shpejtësi prej rreth 20 km në vit, duke u shfaqur edhe në rajone të tjera të Italisë dhe Europës, qeveritë janë të shqetësuara, ndërsa shkencëtarët po bëjnë gara për të kontrolluar sëmundjen dhe për të parandaluar përhapjen e saj. Pasi të identifikohet një pemë e infektuar pranë pemëve të shëndetshme, ajo duhet të shkulet dhe çdo pemë tjetër në një afërsi 50 metra të kontrollohet me kujdes.

Nicola di Noia, një agronom nga Taranto dhe drejtor i përgjithshëm i Unaprol, kompania më e madhe e prodhuesve të vajit të ullirit në Itali, e kupton mirë rrezikun e Xylella -s dhe lobon me zë të lartë për frenimin e saj.

“Është një fatkeqësi e paprecedentë ekologjike, mjedisore”, thotë ai. “Ne nuk mund të kapemi thjesht nga pasioni mjedisor. Ne duhet të jemi shkencëtarë”.

Qentë si Ellis kanë nuhatje të jashtëzakonshme, por kanë edhe tipare të tjera thelbësore, si inteligjenca dhe një dëshirë e madhe për të luajtur

Në vitin 2020, ai mendoi për përvojën e tij të kaluar si një karabinier (oficer i xhandarmërisë italiane), duke punuar me qentë për zbulimin e drogës dhe eksplozivëve dhe kujtoi aftësitë e tyre të pabesueshme të nuhatjes. Po sikur ata të zbulonin edhe Xylella?

“Ne filluam të kërkojmë për vepra të ngjashme të bëra nga qentë në bimë”, thotë Di Noia. Dhe ata zbuluan se një ekip ekspertësh nga Kalifornia kishte gjetur një mënyrë për të përdorur erën për të zbuluar bakteret në frutat.

I emocionuar nga mundësia, Di Noia foli për këtë ide me Ente Nazionale della Cinofilia Italiana ( ENCI, organizata kombëtare përgjegjëse për njohjen, standardizimin dhe regjistrimin e qenve antidrogë në Itali) dhe me studiuesit kryesorë mbi Xylella në Bari, Pulia dhe me Këshillin Kombëtar të Kërkimeve.

Ai grumbulloi fondet dhe vendosi të thërrasë “Qentë e Zbulimit të Xylella”.

Në parim, hunda e qenit funksionon në të njëjtën mënyrë si e njeriut. Ndërsa thithim dhe nxjerrim frymën, receptorët në hundë zbulojnë molekulat në ajër dhe dërgojnë informacionin në tru.

Hunda e një qeni ka disa karakteristika të ndryshme që e bëjnë kafshën një super-aromatike. Pjesa e përparme e hundës shërben për të lagështuar ajrin hyrës i cili ndihmon nuhatjen, dhe ajri më pas pompohet në mushkëri dhe pjesërisht në një “dhomë” nuhatjeje të mbushur me receptorë për të kapur aromatizues. Dhe këtu qentë bëhen ekspertë të nuhatjes.

Qentë kanë 20 herë më shumë receptorë nuhatës se njerëzit që dërgojnë sinjale në trurin e tyre. Kur qeni nxjerr frymën, ajri del përmes dy të çarave anësore të hundës, jo përmes vrimave të hundës siç bëjmë ne.

“Ka kafshë që shohin shumë më tepër ngjyra sesa ne”, thotë Adee Schoon, biologe holandeze e cila ka punuar me zbulimin e aromave nga kafshët për tre dekadat e fundit.

Shumica e qenve mund të lundrojnë në botën e aromave në mënyra që ne nuk mund t’i kuptojmë, por duhen qen të veçantë dhe shumë stërvitje për t’u bërë “qen zbulues”.

Schoon punonte me qen zbulues në mjekësi ligjore, në veçanti rastet e përdhunimeve për policinë holandeze, për të identifikuar përdhunuesit nga sperma e tyre. Ajo thotë se qentë i njohin aromat njësoj si njerëzit njohin fytyrat.

Megjithatë, trajnimi i një qeni të ri nuk është i lehtë dhe mund të marrë pak kohë. Sipas Serena Donnini, një trajnere qensh për ENCI dhe koordinatore e programit eksperimental të qenve të zbulimit të Xylella, ekzistojnë disa raca qensh, si labradori, që falë hundës së tyre më të madhe kanë më shumë gjasa të bëhen super nuhatës të mirë dhe të punojnë me turne më të gjata, shpesh duke ndjekur një aromë për orë të tëra. Por kjo nuk mjafton, thotë Donnini, sepse personaliteti i një qeni është gjithashtu i rëndësishëm: për të kaluar të gjitha provimet për t’u bërë qen zbulues, kafshët duhet të duan të luajnë dhe të hanë.

“Kjo është e rëndësishme, për të zhvilluar një sistem shpërblimi”, thotë Donnini. Sa më shumë që një qen pëlqen të kapë një top dhe sa më shumë të jetë i fiksuar pas tij, aq më shumë ka gjasa që ato ta kërkojnë atë.

“Derisa të kemi diçka që qeni e dëshiron aq fort sa që ai pothuajse do të ishte i gatshëm të vriste për ta marrë atë, ne nuk mund të ecim përpara për ta trajnuar atë”.

Një objekt i zakonshëm me të cilin Donnini dhe kolegët e saj punojnë shpesh është një lodër gome e zbrazët. Pasi e lënë qenin fillimisht të luajë me të, trajnerët fillojnë ta fshehin për të punuar në aftësitë e kërkimit të qenit. Sa herë që qentë gjejnë gomën, ata marrin një shpërblim ushqimi.

“Duhet të mendojë, ‘të punosh këtu është e mrekullueshme sepse gjeta lodrën time'”, thotë Donnini. Për qentë, goma ka një erë shumë specifike, kështu që sa më shumë që stërvitja përparon, aq më shumë trajneri e thyen gomën në copa më të vogla derisa ato të bëhen sa një thjerrëz. Sa më i vogël të jetë fragmenti i gomës, aq më shumë qeni përqendrohet në gjetjen e tij dhe përshpejton frekuencën e nuhatjes. Pasi qeni mësohet se si të tregojë se e ka gjetur lodrën duke ngrirë, leh ose ulur, trajnerët fusin erën e synuar.

Të dy Paco dhe Ellis ishin në gjendje të dallonin me siguri një bimë të infektuar dhe të ngrinin pranë saj

Sipas Donnini, ka mënyra të ndryshme për ta bërë këtë, por ka dy metoda më të zakonshme. E para është çiftimi, bashkimi i aromës së synuar dhe lodrës, shpërblimi i qenit kur i gjejnë dhe heqja ngadalë e lodrës. Tjetra është e kundërta: këtu nuk fshihet asnjë lodër, por ndërsa qeni e kërkon urgjentisht, kur kalon pranë erës së synuar, merr një shpërblim. Qeni shpejt mëson të sinjalizojë kur njeh erën e re, duke marrë një shpërblim.

Prandaj, Donnini thotë se është thelbësore të trajnohen qentë me aromat e duhura, dhe këtu shkencëtarët e Këshillit Kombëtar të Kërkimeve luajnë një rol themelor. Për të shpëtuar pemët nga Xylella, kjo aromë është aroma e një bime të infektuar. Ashtu si njerëzit, kur bimët infektohen, metabolizmi dhe aroma e tyre ndryshojnë.

Donato Boscia, një virolog i bimëve dhe kreu i njësisë së Barit të Institutit CNR për Mbrojtjen e Qëndrueshme të Bimëve, i ka ofruar Donninit bimë ulliri të infektuara të çertifikuara. Ekipi i Boscia-s aktualisht po përpiqet të kuptojë molekulat specifike të lëshuara nga bimët e infektuara që perceptojnë qentë.

“Ne nuk e dimë vërtet, por duhet t’i japim qenit të gjitha pjesët e enigmës në mënyrë që ai të krijojë një imazh të saktë të erës”, shton Donnini.

Për të treguar saktësinë e qenve, Donnini shtron pesë pemë të vogla ulliri në vazo në një oborr.

Njëra prej bimëve mban një etiketë me një pikë të kuqe, e certifikuar si e infektuar me Xylella nga ekipi i Boscia-s. Trajnuesi i qenve Fortebraccio i sinjalizon Ellis, qenit të tij shtatëvjeçar të bardhë dhe kaf, i cili vrapon nëpër bimë, ngrin përpara bimës së infektuar dhe duke tundur bishtin, kthehet te traineri për të kërkuar ushqimin.

Pavarësisht se ku ishte vendosur bima e infektuar, si Ellis ashtu edhe Paco mund ta dallonin dhe ngrinin përpara saj.

Jo të gjitha bimët e infektuara nga Xylella shfaqin simptoma të perceptueshme për njerëzit, që është një nga arsyet që ka rezultuar kaq sfiduese për të kontrolluar sëmundjen. Mendohet se ishte përmes një bime kafeje të importuar nga Amerika Latine që Xylella mbërriti në Pulia, sipas një studimi të drejtuar nga Annalisa Giampetruzzi nga Universiteti i Barit.

“Janë pikërisht këto vende që kanë qenë kali i Trojës në të cilin Xylella u fut në një zonë të re”, thotë Boscia.

Ato mendojnë të vendosin qen të stërvitur në çdo port për të kontrolluar çdo bimë që futet në vend.

“Ne duhet të trajnojmë qentë për të identifikuar bimët e infektuara me Xylella , pavarësisht nga speciet bimore ku ajo gjendet”, tha Boscia. Studiuesit ende nuk e dinë nëse aromat që nuhasin qentë vijnë nga rrënjët apo nga degët e pemës. Ato janë ende të pasigurt nëse, me të njëjtin trajnim, do të jenë në gjendje të zbulojnë njëkohësisht bakteret në një bimë rozmarine për shembull.

Ndërsa shkencëtarët italianë vazhdojnë të studiojnë bimët e infektuara, qentë mund të punojnë si provë për të krijuar një mjet që mund të ndihmojë gjithashtu në kërkimin e tyre të Xylella. Ka ende shumë punë për të bërë, por studiuesit shpresojnë se Qentë e Zbulimit të Xylella do të jenë një mjet për të zbuluar bakteret vdekjeprurëse.

Përveç ndikimit të tmerrshëm të Xylella në territorin jugor italian, Di Noia shqetësohet për sasitë e dioksidit të karbonit të lëshuar në atmosferë nga pyjet e pafundme të ullinjve të tharë ndërsa ato dekompozohen.

“Është një kosto që ne të gjithë duhet të paguajmë, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, për të frenuar një fatkeqësi mjedisore”, thotë Di Noia.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë