Bota

Kryeministrja e Zelandës së Re njofton papritur dorëheqjen në lot: Nuk kam më energji

Gazeta Si – Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen më 7 shkurt.

E prekur dukshëm, në një konferencë të papritur për shtyp në të cilën ajo nuk ishte në gjendje të mbante emocionet dhe lotët e saj, liderja 42-vjeçare laburiste tha se gjatë verës ajo kishte shpresuar të gjente energjinë për të vazhduar, “por unë nuk kam qenë në gjendje ta bëjë atë”.

Ajo reflektoi për të ardhmen e saj dhe shpjegoi: “Të qenit kryeministër, ka qenë nderi më i madh i jetës sime dhe dua të falënderoj popullin tim për privilegjin e madh të udhëheqjes së vendit për pesë vitet e gjysmë. Këto kanë qenë pesë vitet e gjysmë më të kënaqshme të jetës sime. Po largohem, sepse kjo punë e privilegjuar mbart edhe një përgjegjësi të madhe, atë të dish kur je njeriu i duhur për të drejtuar vendin dhe kur jo. Ka ardhur koha për mua…”. Zgjedhjet e ardhshme do të mbahen më 14 tetor.

Ardern e filloi mandatin e saj më 26 tetor 2017, në moshën 37-vjeçare, kryeministrja më e re e Zelandës së Re për 150 vjet dhe kryeministrja e tretë femër e vendit pas Jenny Shipley (1997-1999) dhe Helen Clark (1999-2008): “Kam dhënë gjithçka për të qenë kryeministre, – shpjegoi ajo, – por është një rol që më ka hequr edhe shumë. Asnjë nuk mund dhe nuk duhet ta bëjë këtë punë nëse nuk je e motivuar për ato sfida të paparashikuara që lindin në mënyrë të pashmangshme”.

Lajmi tronditi laburistët, kryeministrja ishte duke u tërhequr nga grupi parlamentar i partisë në Napier kur shpalli lamtumirën e saj në konferencën për shtyp: “Ata u befasuan, por më kuptuan, – shpjegoi ajo më vonë. – Nëse nuk kam atë që duhet, duhet të lë dikë tjetër ta bëjë këtë punë”.

Laburistët do të zhvillojnë një votim të dielën për një udhëheqës të ri dhe kandidat për kryeministër.

Ardern tha se është e bindur se ekipi i saj është krejtësisht i aftë për ta çuar vendin përpara dhe për të fituar zgjedhjet e ardhshme: “Unë nuk po largohem, sepse besoj se nuk mund t’i fitojmë zgjedhjet, por sepse besoj se mundemi dhe do ta bëjmë”.

Asnjë “skandal i fshehtë” pas dorëheqjes së saj, siguron ajo, por një zgjedhje personale dhe jetësore: “Unë jam njeri. Ne japim sa më shumë që të jetë e mundur për aq kohë sa të jetë e mundur dhe pastaj vjen koha. Dhe për mua ky është momenti. Unë do t’i bëja një shërbim të keq Zelandës së Re nëse do të vazhdoja”.

Më pas, fjalët kushtuar familjes. Pasi kujtoi mbështetjen e vazhdueshme të atyre që e mbështetën në këtë vendim shumë të vështirë, ajo iu drejtua drejtpërdrejt partnerit të saj, Clarke Gayford, i cili ishte aty duke e pritur.

Së pari, një mendim për vajzën e saj: “Për Neve-n, mamaja mezi pret të jetë atje kur të fillojë shkollën këtë vit. Dhe për Clarke, le të martohemi”.

Ajo nuk i kishte thënë asgjë vogëlushes për dorëheqjen e saj: “4-vjeçarët janë llafazan, nuk rrezikonim dot”.

Përsa i përket dasmës, kryeministrja ishte detyruar të shpallte shtyrjen për në janar të një viti më parë për shkak të kufizimeve të vendosura nga qeveria e saj për valën e re të Covid-19 në Zelandën e Re.

E lehtësuar, në fund të konferencës për shtyp, Ardern përqafoi partnerin e saj dhe u largua nga dhoma me të duke buzëqeshur.

Ajo do të donte që Zelanda e Re ta kujtojë – tha ajo – “si dikush që është përpjekur gjithmonë të jetë e sjellshme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë