Anëtari i kryesisë së PD-së, Eno Bozdo, tha se si rezultat i mos uljes së çmimit të naftës qeveria arkëtoi 55 milion euro më shumë vitin e kaluar.
Bozdo nënvizoi se qeveria ka vendosur të mbajë të lartë çmimin e naftës, si një mënyrë për të mbushur arkën e shtetit.
“Shqipëria ka qenë gjithmonë gjatë këtyre viteve, edhe shumë përpara luftës, vendi me naftën më të shtrenjtë në rajon dhe ndër më të shtrenjtat në Evropë. Nafta në Shqipëri, për shkak të taksimit shumë të lartë të qeverisë së Edi Ramës, ishte më e shtrenjtë se në Gjermani, Francë, Norvegji dhe plot vende të tjera evropiane.
Por, në të gjitha këto, vende çmimi i naftës, pas stabilizimit të tregjeve ndërkombëtare, është ulur ndjeshëm. Me përjashtim të Shqipërisë ku ky çmim njeh vetëm rritje.
Përpara disa ditësh, Bordi i Qeverisë vendosi të rrisë përseri çmimin e naftës, edhe pse në bursën ndërkombëtare ky çmim është ekzaktësisht në nivelet e paraluftës”, tha Bozdo.
Arsyeja, sipas tij, nuk është as infrastruktura dhe as mënyra sesi përllogaritet ky çmim.
Madje ai pohon se edhe vetë tregtarët e naftës deklarojnë zyrtarisht se Bordi i qeverisë e rrit çmimin me të paktën 120 lekë për liter, për shkak të mënyrës sesi ai funksionon.
“Pra, arsyeja është një dhe e vetme. Qeveria ka vendosur me çdo kusht ta mbaje të lartë çmimin e naftës, sepse kështu ajo arrin të mbushe xhepat në kurriz të shqiptarëve.
Sipas llogaritjeve të ekspertëve, vitin e kaluar vetëm si pasojë e rritjes së çmimit të naftës, qeveria shqiptare futi në xhep afërsisht 150 milionë euro më shumë. Nga këto para, asgjë nuk i është kthyer shqiptarëve në formën e subvencioneve për rritjen e çmimeve.
Si pasojë e inflacionit të lartë dhe rritjes së çmimeve të të gjitha produkteve, qeveria shqiptare arkëtoi ne total rreth 550 milionë euro më shumë gjatë vitit 2022. Një shumë e konsiderueshme, e cila në një vend normal do të duhej t’i kthehej e plotë qytetarëve”, tha Bozdo
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje