Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili në një komunikim për mediat ka deklaruar se kryeministri Edi Rama nuk po tregon të vërtetën lidhur me marrëveshjen për Detin.
Vasili ka shigjetuar indirekt edhe Presidentin aktual, Bajram Begaj, kur në konferencën për shtyp lexoi vërejtjet e ish-Presidentit për këtë çështje, pak para përfundimit të mandatit.
“Në datën 21 korrik të vitit 2022, të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë përfshirë edhe Ju me cilësinë e dyfishtë të Deputetit më së pari, si edhe atë të Kryeministrit jeni njohur me letrën zyrtare të Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta për çështjen e kufizimit të zonave detare midis dy vendeve (Shqipëri- Greqi) dhe ecurisë së procesit negociator.
Problemet, që ngrihen dhe evidentohen në letrën e presidentit janë shumë serioze dhe kritike, pasi kemi të bëjmë me kufijtë shtetërorë dhe hapësirën territoriale të Republikës së Shqipërisë.
Në këtë letër evidentohen me të dhëna dhe dokumente se veprimet e Qeverisë kanë qenë në shkelje të Kushtetutës, të njëanshme, aspak transparente dhe jo profesionale duke vënë në rrezik shumë serioz interesat territoriale të Republikës së Shqipërisë”, tha Vasili.
Pas njohjes me këtë letër, Vasili tha se si deputet i Kuvendit ka pritur transparencë për këtë çështje.
“Ndaj në cilësinë e deputetit të Kuvendit, po Ju kërkoj të më informoni në lidhje me pyetjet e mëposhtme: Cila është përmbajtja e Marrëveshjes politike të arritur në tetor 2020 dhe të deklaruar nga Ministri grek Dendias në tetor të vitit 2020, dhe përse nuk është bërë asnjëherë publike kjo Marrëveshje?
Përse Marrëveshjen politike me Greqinë, e cila sipas Ministrit të Jashtëm grek Dendias është mbyllur në tetor të vitit 2020, nuk e keni çuar as tek Presidenti dhe as në Kuvendin e Shqipërisë, si dy institucione Kushtetuese të detyrueshme e të pakapërcyeshme?
Përse keni vendosur për një zgjidhje, që e vendos Shqipërinë në dizavantazh të qartë dhe të një humbjeje të paralajmëruar përballë Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë?
Përse janë kapërcyer të gjitha instancat kushtetuese dhe janë ndërmarrë veprime apo deklarata publike pohuese tuaja personale të njëanshme, të paautorizuara, që nuk janë në tagrin e Qeverisë, Kryeministrit dhe që Kushtetuta i ndalon kategorikisht?
Për çfarë arsye Ju si Kryeministër keni informuar në mënyrë të pavërtetë Qeverinë e Greqise sikur Presidentit Meta nuk ju paska dhënë autorizimin e kërkuar prej jush, kur dihet zyrtarisht se Ju nuk keni kërkuar kurrë një autorizim të tillë sikurse konfirmohet në letrën zyrtare të Presidentit Meta drejtuar deputetëve të datës 21 korrik 2022?
Përse Qeveria, pa asnjë akt zyrtar për plotfuqishmëri negociuese, me VKM. Nr. 221, datë 7.4.2021 ka alokuar rreth 1.5 milion dollarë për miratimin e kontratës me objekt konsulencë për hartimin e projektmarrëveshjes që do të lidhet ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë, për referimin e çështjes se kufizimit të zonave detare pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë?
Cili është Grupi Negociator, që po punon për Marrëveshjen me të cilën do të shkohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë?
Kush dhe kur e ka mandatuar këtë Grup Negociator për të bërë një Marrëveshje për kufijtë detare dhe për t’i ndarë ata në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur as Presidenti Meta nuk ka dhënë asnjë plotfuqishmëri për këtë dhe as Kuvendi nuk është informuar në asnjë rast?”, pyeti Vasili
Përse sipas tij mbahet e fshehtë përbërja e këtij Grupi Negociator dhe objekti i punës së tij?
“Akoma në fuqi është një tjetër Grup Negociator i ngritur që në 19 mars të vitit 2018 për të përgatitur Marrëveshjen me Greqinë dhe që ka plotfuqinë e Presidentit sikundër Kushtetuta e kërkon, çfarë po ndodh me këtë Grup?
Negociatat e filluara për kufizimin e zonave detare me Greqinë a kanë përfunduar?
Nëse negociatat për përcaktimin e kufirit detar janë ndërprerë cilat janë arsyet parimore të pazgjidhshme, që kanë sjellë ndërprerjen e tyre?
A ka qenë për Qeverinë shqiptare Vendimi i Gjykatës Kushtetuese linja udhëheqëse e qëndrimit në negociatat për Marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë?
Nëse Marreveshja nuk u arrit, cilat ishin shkaqet themelore, që e penguan atë?
Përse nuk keni bëre publike se çfarë Marrëveshje ishte pergatitur dhe ishte planifikuar për firmosje me Qeverinë Greke të ish Kryeministrit Tsipras?
Përse nuk keni bërë as me Presidentin dhe as me Kuvendin trasparencën e plotë të situatës, lidhur me negociatat e filluara që në mars vitin 2018 për Marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë?”, pyeti ndër të tjera Vasili
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje