Sali Berisha dhe Vangjel Dule firmosën një marrëveshje parazgjedhore për lokalet e 14 majit.
“Shpreh kënaqësinë time dhe të PD për këtë marrëveshje me një aleat të hershëm të PD, me të cilin ne vendosim të bëjmë një betejë të përbashkët kundër monizmit të plotë, të vendosur nga regjimi më i korruptuar në Europë dhe botë, regjimi i Edi Ramës.
Përmbysja e këtij monizmi është përparësi absolute e çdo qytetari të lirë, e çdo opozitari dhe në këtë kontekst, ne së bashku me PBDNJ, OMONIA-n, bashkojmë forcat me bindjen se me 14 maj do i japim një goditje fatale sistemit monist”, tha Berisha pasi firmosi marrëveshjen.
“Dëshiroj edhe unë nga ana ime që të shpreh kënaqësinë e Marrëveshjes me Dr.Berishën dhe PD, dhe për më tej me Opozitën e Bashkuar për zgjedhjet e pushtetit vendor në 14 maj.
Është një bashkëpunim i hershëm me PD, dhe në shumë drejtime i suksesshëm, si në opozitë, ashtu edhe në qeverisje. Do të veçoja bashkëpunimin e vitit 2005-2009 që për këdo ky është objektiv dhe vlerësim. Është një nga qeverisjet 4-vjeçare më të suksesshme në këtë vend. Kjo marrëveshje nënshkruhet në kushtet ku në vendin tonë, dhe askush nuk mund t’i fshihet këtij realiteti ku demokracia, shteti i së drejtës, të drejtat dhe liritë janë në intubim.
Me të gjitha risqet që një gjendje e tillë klinike përfshin në organizimin për shtetin dhe demokracinë në vendin tonë.
Rruga është e gjatë, është e vështirë, por na garanton fitore. Ne me këtë marrëveshje synojmë që komuniteteve lokale t’u sjellim kandidaturat më të denja që do të punojnë për komunitetin dhe që janë zgjedhje e komunitetit…”, tha Dule pas firmosjes.
Pikat e marrëveshjes
Sipas marrëveshjes, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe koalicioni i drejtuar prej saj do të mbështesë kandidatët për kryetar bashkie të propozuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në zonat zgjedhore Bashkitë Himarë, Dropull dhe Finiq.
“Kandidatët përkatës do të konsiderohen kandidatë të koalicionit opozitar dhe do të përfaqësojnë alternativën e opozitës së bashkuar në zgjedhjet e 14. 05.2023 në të njëjtën mënyrë, formë dhe mbështetje me kandidatët e tjerë të koalicionit të përzgjedhur nëpërmjet procesit të primareve të organizuara nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut angazhohet të mbështesë kandidatët për kryetar bashkie të Partisë Demokratike dhe koalicionit të drejtuar prej saj, në të gjitha zonat e tjera zgjedhore, bashkitë e vendit përveç atyre të përmendura në pikën 1.
Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, në të gjithë territorin e vendit, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.
Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve, gjelbërimit të qyteteve dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, thuhet në marrëveshje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje