Nga Gazeta Si- Pas debateve të forta në Parlament, ku kryeparlamentarja Lindita Nikolli përjashtoi ish-kryeministrin Sali Berisha nga seanca, grupimi i deputetëve demokratë “Alibeaj” ka bërë publike nismën për të shkarkuar drejtuesen e Parlamentit.
Ky grupim pretendon se Nikolla ka shkelur rëndë Rregulloren e Parlamentit, duke mos ia dhënë fjalën deputetëve të opozitës.
“Për shkak të shkeljes flagrante të Rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bazuar në pikën 4, të nenit 114 të Rregullores, ka vendosur të nis procedurën për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit znj. Lindita Nikolla”, thuhet në reagimin e tyre.
Për deputetët demokratë veprimi i sotëm i Kryetares së Kuvendit, është akt i paprecedent në 32 vjet demokraci.
“Në shkelje flagrante të Rregullores, Kryetarja e Kuvendit i mohoi të drejtën deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës, duke përdhosur parlamentarizmin dhe duke minuar funksionimin demokratik të Kuvendit. Gjithashtu, nga sot Parlamenti i Shqipërisë ka humbur mundësinë për të funksionuar në mënyrë demokratike dhe përgjegjës për këtë janë vetëm Edi Rama dhe Lindita Nikolla”, thuhet në reagimin e këtij grupimi.
Sipas rregullores së Kuvendit, kërkesa për shkarkimin e kryetares së Kuvendit duhet të paraqitet sipas pikës 1 të nenit 114 të Rregullores së këtij institucioni që parashikon mënyrën e largimit të anëtarëve të të organeve të parashikuara në Kushtetutë. Ajo i paraqitet Kryetarit të Kuvendit me shkrim dhe në mënyrë të motivuar e konkrete për shkaqet e parashikuara në Kushtetutë dhe nga jo më pak se 28 deputetë, me përjashtim të rasteve kur nuk është parashikuar ndryshe në Kushtetutë ose në ligj. Me paraqitjen e kërkesës, Kryetari i Kuvendit vë menjëherë në dijeni Kuvendin dhe anëtarin e organit kushtetues për të cilin kërkohet shkarkimi. “Kërkesa për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit paraqitet sipas pikës 1 të këtij neni dhe shqyrtohet nga Këshilli për Legjislacionin, i cili paraqet raportin përkatës në seancë plenare. Në rast se kërkohet, Këshilli për Legjislacionin dhe Kuvendi në seancë plenare janë të detyruar të dëgjojnë Kryetarin e Kuvendit. Në këtë rast seanca plenare drejtohet nga Zëvendëskryetari që i përket shumicës parlamentare”, thuhet në pikën 4 të rregullores.
Ky mocion kërkon dhe një bashkim votash me demokratëve, pasi siç dihet janë të ndarë në dy apo tre grupime. Vetë “Alibeaj” pretendon se i ka firmat e 28 deputetëve, por jo të gjithë deputetët që janë zyrtarisht në grupin e PD-së e mbështesin atë. Përflitet se Alibeaj ka vetëm 15 deputetë si mbështetës. Nisur nga kjo përçarje, që nisma më e fundit të konkretizohet detyrimisht mund të kërkojë edhe një bashkëpunim me deputetët e tjerë të opozitës të grupimit Berisha. Nëse realizohet kjo do të jetë hera e parë që dy grupimet bashkohen për një nismë që synon largimin e kryeparlamentares Nikolla, edhe pse opozita nuk i ka votat e duhura për ta shkarkuar në seancë plenare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje