Gazeta Si – Të shtunën në mbrëmje, në orën 23.30 me orën lokale, një bazë ushtarake në Iran është sulmuar me tre dronë.
Agjencitë e lajmeve të vendit islamik kanë raportuar të parat, duke shkruar se fillimisht është dëgjuar një zhurmë e fortë, ndërsa në qiell ka ndodhur një shpërthim. Objektivi, thonë mediat, do të ishte një qendër e prodhimit të municioneve.
Videot e shfaqura nga televizionet lokale tregojnë automjetet e urgjencës dhe zjarrfikësve që drejtohen drejt bazës në provincën veriore të Isfahanit, një qytet që ndodhet rreth 400 kilometra në jug të Teheranit.
Ministri iranian i mbrojtjes siguroi se sulmi “ishte i pasuksesshëm”: një dron u rrëzua nga mbrojtja ajrore, dy të tjerë shpërthyen, pasi “u vunë në shënjestër nga një sistem ajror mbrojtës”. Nuk pati viktima apo të lënduar, por vetëm “dëmtime të vogla në çatinë e strukturës”.
Ndërsa zëvendësguvernatori i provincës, Mohammad Reza Jan-Nesari, siguroi se “hetimet tashmë janë duke u zhvilluar për atë që ka ndodhur”.
Autoritetet nuk deshën të specifikojnë se çfarë aktivitetesh zhvillohen brenda uzinës ushtarake: Ministria e Mbrojtjes e tregon atë si një “laborator”, pa dhënë megjithatë detaje të tjera.
Në mëngjesin e kësaj të diele, Ministria e Mbrojtjes lëshoi një komunikatë publike, ku ritheksonte se “këto veprime të verbëra nuk do të kenë asnjë ndikim në vazhdimin e progresit të vendit”.
Agjencia “Mehr” raporton fjalët e deputetit Mohammad-Hassan Assafari, i cili akuzoi “kundërshtarët dhe armiqtë” e Republikës Islamike, të cilët me këtë sulm po tentojnë “të shqetësojnë aftësitë mbrojtëse” të vendit.
Agjencia iraniane “Irna” shkroi menjëherë më pas se një zjarr shpërtheu në një rafineri nafte në qytetin e Tabrizit, 600 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit: një person do të ishte plagosur, për momentin nuk janë sqaruar shkaqet e zjarrit dhe as nëse ka është një lidhje me sulmin në bazën e Isfahanit.
Televizioni shtetëror i regjimit shfaqi pamjet e zjarrfikësve në punë për të shuar flakët. Prej muajsh, Irani ka furnizuar Rusinë me dronë, të cilët më pas përdoren në frontet e luftës në Ukrainë dhe janë në qendër të tensioneve ndërkombëtare për programin e tij bërthamor.
Disa qendra kërkimore bërthamore janë aktive në provincën e Isfahanit, duke përfshirë një fabrikë për prodhimin e uraniumit të pasuruar.
Këtë mëngjes, këshilltari i Volodimir Zelenskit, Mikhailo Podolyak, shkroi në Twitter: “Natë shpërthyese në Iran. Logjika e luftës është e paepur dhe vrastare dhe ia paraqet faturën me rigorozitet autorëve dhe bashkëpunëtorëve”.
Transmetuesi saudit “Al Arabiya”, duke cituar burime të njohura me dosjen, raportoi se “Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara janë përfshirë në sulmet e natës së sotme së bashku me ata të një vendi tjetër aleat”.
Ndërkohë, “Jerusalem Post” citoi burime të inteligjencës perëndimore që do të flisnin për një “sukses të madh” të sulmeve, në kundërshtim me atë që pretendojnë autoritetet e regjimit të ajatollahëve.
Në vitet e fundit, disa baza ushtarake iraniane, qendra të prodhimit bërthamor dhe impiante industrial, janë dëmtuar nga shpërthimet dhe zjarret.
Korrikun e kaluar, autoritetet e regjimit komunikuan arrestimin e një ekipi sabotatorësh me origjinë kurde, të cilët dyshohet se ishin punësuar nga Izraeli për të hedhur në erë një fabrikë industriale mbrojtëse në Isfahan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje