Politike

Lëmshi i 14 majit me komisionerët, Berisha me listë, Alibeaj me listën e vet, por Celibashi njeh Bashën si kryetar

PD-ja zyrtare e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj ka dorëzuar listën e anëtarëve të KZAZ në KQZ.

Lista e plotë e anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ për zgjedhjet vendore të 14 Maj është firmosur nga Gazment Bardhi që me organet zyrtare mban ende detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm.

Më herët, një listë paralele në emër të PD-së (por me sigël të ndryshuar) kishte dorëzuar edhe Berisha përmes Sekretarit Flamur Noka.

Debati në këtë rast pritet të zhvendoset në KQZ se cila prej listave duhet pranuar edhe pse nisur nga ato çfarë ka deklaruar më herët, Ilirjan Celibashi në këtë rast nuk do ta ketë të vështirë.

“Organin që drejton një parti nuk e vendos KQZ. Deri në momentin që flasim, përfaqësues i PD në KQZ është Marash Logu dhe Indrit Sefa. Kemi komunikime të karakterit profesional qoftë me Ivi Kason dhe përfaqësues të tjerë të PD.

Ne do të vlerësojmë legjitimitetin e atij që përcjell dokumentacion në KQZ, është apo nuk është ky person me tagër për të sjellë në emër të PD-së kërkesa të ndryshme, propozime.

Autorizimi që ata kanë është në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Ky legjitimitet është i verifikueshëm nga dokumentacioni që KQZ merr nga Gjykata e Tiranës”, tha pak ditë më parë Celibashi.

Deri më tani, në gjykatën e Tiranës rezulton kryetar Lulzim Basha edhe pse i dorëhequr, por e padepozituar si vendim pranë gjykatës.

Me pak fjalë një lëmsh i madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë