Kryekomisioneri i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se do t’i përmbahet ligjit se kë duhet të regjistrojë për zgjedhjet e ardhshme lokale listën e Sali Berishës apo Enkelejd Alibeajt.
Një deklaratë që ai e ka thënë edhe pak ditë më parë.
Por ajo që dalloi në konferencën e të mërkurës në ligjërimin politik të Celibashit ishte se krahas ligjit, ai nuk mund t’i shmangej realitetit politik.
Celibashi njoftoi se pjesë e gjykimit të tij do të jetë edhe vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri.
“Nëse do ta bënim formale dhe unë do isha formal, përgjigja do ishte do e merrni vesh kur të vendoset. Po s’dua të bëj hipokritin dhe të them që se njohim realitetin. Qoftë edhe si individ edhe unë, këtu jetoj i ndjek lajmet kam gjykim dhe opinionet e mia. Edhe pse, kjo s’do të thotë që kur të vij puna e vendimmarrjes kjo do jetë pjesë e gjykimit tim. Kemi dy propozime për anëtar të KZAZ-ve nga zoti Indrit Sefa (PD), kemi dhe një propozim zoti Flamur Noka në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të PD.
Në fakt jemi në proces të verifikimit të dokumentacionit mbi propozimet për anëtar të KZAZ jo vetëm të PD por edhe të partive të tjerave. Më vjen keq që gjendem në këtë situatë. S’kemi asnjë lloj interesi dhe as një lloj simpatie për partitë, përtej komenteve. (…) S’kemi asnjë lloj ndrojtjeje për të zbatuar ligjin. Se vendosim se kush e udhëheq PD, ne do disponojmë se kush do e përfaqësojë, për ne është vetëm një PD, ngelet për tu parë se kush e ka tagrin. Do duhet që kjo gjë duhet zgjidhur, sepse flitet për një parti kryesore të opozitës” tha Celibashi
Sipas tij, pyetja e merr përgjigjen në momentin kur të duhet të vendoset për regjistrimin e PD si subjekt zgjedhor.
“Unë jam njohur dhe me atë vendim të gjykatës së Tiranës (Agron Zhukrit) do jetë dhe ai vendim pjesë e vlerësimit nga ana ime si komisioner, sikurse dhe cdo dokumentacion që cdo kush mendon që do duhet ta paraqesë në mbështetje të kërkesës së tij për regjistrimin e partisë si subjekt zgjedhor. Pak a shumë e mendoj si mund të jetë por kam kohë për ta vendosur kur të jetë kërkesa.
Sot kam mendim e gjykim bazuar në atë që është bërë me dije, por në fund duhet të vendos mbi atë dokumentacion që do paraqitet formalisht para meje.
Kemi kohë që kjo situatë të zgjidhet. Do ishte mirë ta zgjidhnin mes njëri tjetrit por unë jam i fundit në radhë që të jap këshilla për partinë kryesore të opozitës si duhet t’i zgjidhin problematikat e tyre. Mua më takon të jem i ftohtë në gjykimin tim në momentin kur duhet të vendos”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje