Në më shumë se dy dorë, Kuvendi kaloi vetëm me votat e mazhorancës projektligjet e rendit të ditës pas një kërkese nga Taulant Balla për të ndërprerë diskutimet.
Arsyeja lidhej me bllokimin e punimeve të deputetëve të PD-së, disa duke zënë foltoren, disa të tjerë duke i rënë bilbilave për arsyen e thjeshtë; Kryeministri Edi Rama nuk u paraqit në interpelancën e kërkuar nga deputetë të grupit “Alibeaj”.
Ai ia delegoi përgjigjet ministres për Parlamentin Elisa Spiropali lidhur me pikëpyetjet që opozita kish parashtruar rreth dosjes së ish-agjentit të arrestuar të FBI, Charles McGonigal dhe lidhjeve të tij me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit reagoi në Twitter, betejën e fjalëve e mori Spiropali në Kuvend, ndërsa PD-ja u bë bashkë jo vetëm për të mbështetur nismën e deputetëve të Berishës për mocion me debat për Ramën por edhe për të ngritur një komision hetimor rreth kësaj çështje.
Në fund të seancës, Enkelejd Alibeaj (i cili nuk ishte i pranishem gjate debatit) tha për mediat se ndaj Edi Ramës duhet të nisë procedim penal një orë e më parë.
Debati në Kuvend
Në seancën e të enjtes PD është bërë bashkë në minutat e fundit që në rendin e ditës të përfshihej edhe mocioni me debat i kërkuar një ditë më parë nga grupi i Berishës dhe interpelanca që ishte parashikuar paraprakisht nga grupi Alibeaj për të njëjtën çështje dosjen e ish-agjentit të arrestuar të FBI-së.
Mazhoranca përmes Taulant Ballës tha se ka afate për të futur mocionin me debat dhe se në rendin e ditës pika e parë duhet të jetë vetëm interpelanca e kërkuar nga Enkelejd Alibeaj.
Për mocionin me debat, sipas Ballës, Konferenca e kryetarëve duhet mbledhur nje ditë tjetër për ta futur në rendin e ditës.
Më herët, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku është shprehur se Kuvendi po kthehet në një zyrë të qeverisë, dhe se gjatë seancës duhet të mbahet edhe mocioni me debat i kërkuar nga deputetët e Sali Berishës dhe interpelanca, e kërkuar nga grupi i Alibeajt.
“Javën e kaluar iu hoq fjala gjysmës së parlamentit nuk mundet që në momentin kur kërkohet që roli i tij të forcohet nuk mundet parlamenti të kthehet në zyrë të qeverisë, të drejtën e fjalës tonë nuk na e hiqni dot, sot deputetët e opozitës kanë nevojë për transparencë, çdo gjë që kemi thënë në të shkuarën është vërtetuar, duhet transparencë, kush po gënjen, nuk mund të fshiheni përjetësish. Unë vij në parlament se jam votuar për të folur që të mbaj qeverinë përgjegjëse, kërkesën për mocion, na takon që të mblidhemi, ta diskutojmë, ta vendosim, ndërkohë që të vazhdojë edhe interpelanca, ligjet e tjera janë shumë të rëndësishme, lëri deputetët të ushtrojnë”, tha Tabaku.





Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka akuzuar kryeministrin Rama se është i përfshirë me çdo aferë korruptive dhe se Kuvendi duhet të pranojë kërkesën e opozitës për mocion me debat.
“Ka një problematikë që lind që nga seanca e kaluar. Të gjithë deputetët që të opozitës duan të flasin për këtë çështje ku kryeministri ka përdorur çdo gjë për të korruptuar agjentin. Nëse kryeministri ka turp dhe nuk del këtu, nuk vjen, duhet të vijë të japë përgjigje se caktoni dot ju se kush do të bëjë debat. Është po ky kryeministër që i dalin skandalet me avionin privat. Është kryeministri që është i përfshirë me çdo aferë në këtë vend dhe se caktoni dot ju kohën e deputetëve e cakton kushtetuta. Pranoni kërkesën me mocion me debat, kërkohet kryeministri për një aferë personale se ka bërë me turp Shqipërinë në të gjitha mediat ndërkombëtare” tha Salianji, ndërsa foltorja ishte bllokuar më herët për cështje teknike që lidheshin me miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar ku sipas opozitës përmbajtja e saj ishte manipuluar. Kjo solli edhe një debat disa minutash ndërsa kryeministri Edi Rama nuk ndodhej ende në seancë.
Ne seancë nuk ndodhej as Sali Berisha i përjashtuar më 10 ditë nga Kuvendi.
Kërkesa për ndryshimin e rëndit të ditës u hodh poshtë ndërsa filloi pika e parë e rendit të ditës interpelanca me Edi Ramën për dosjen e ish-agjentit të FBI-së.
Kryeministri Edi Rama mungoi, duke ia deleguar ministres për Kuvendin Elisa Spiropali të përgjigjet nje procedurë që sipas Nikollës është ndjekur edhe me herët.
Gazment Bardhi është shprehur kundër. Sipas Bardhi, Spiropali nuk ka qenë në takim me ish zyrtarin e lartë të FBI-së, për pasojë nuk ka pse të jetë ajo që zhvillon interpelancën.
“Nuk e kuptoj pse keni kaq frikë. Bardhi a kërkoni sqarime mbi çështjen që të zbardhet e plotë. Qetësohuni se kemi durimin t’iu durojmë. Po iu them nguti juaj i dëshpëruar për të nxjerrë konkluzione është më së paku qesharak. Si grata si non grata keni dy javë që gërricni nervat e miletit shqiptar. S’na lejoni të japim shpjegime njëherë e mirë për këtë çështje. E kuptoj dëshpërimin tuaj se edhe i mbyturi po u kap pas flokëve të tij e kalon ndonjë kanal po ju doni të kaloni oqeanin dhe kjo është e pamundur”, tha Spiropali.
“Unë nuk kam kërkuar interpelancë me hijen e kryeministrit. Edi Rama si i pandehur mund të heshtë se çdo gjë që thotë i përdoret kundër në gjykatë po unë e kam sjellë si kryeministër të Shqipërisë dhe nuk mund të fshihet as pas Elisës e as pas McGonigal. Ai duhet të japë llogari si korruptoi një zyrtar të FBI si vegël në duart e tij të pista kundër opozitës. Sipas rregullores interpelanca urgjente është pjesa e parë, pezullo seancën plenare ushtro autoritetin tënd si kryetare kuvendi dhe jo si kukull e Edi Ramës”, reagoi Bardhi. Seanca u ndërpre per te rifilluar 10 minuta me pas me te njejtin debat.
“Interpelanca është kërkuar dhe nga 7 deputet, unë nuk kam kërkuar interpelancë me Spiropalin, por me Ramën, nuk është kapur në vendimin e drejtësisë amerikane Spiropali, po Rama, ka korruptuar një zyrtar të lartë të FBI, nuk është një interpelancë për Këshillin e ministrave, por për një veprimtari private të Ramës. Spiropali na tha ‘pse keni frikë’, problem është pse ka frikë Rama të vijë në Kuvend, pse po e keqpërdor ministren dhe të fshihet pas fustanit të saj, të vij këtu, të japë llogari, të sqaroj opinion publik ku i ka gjetur 225 mijë dollarët, është aferë personale e Ramës, nuk ka rregullorja e parlamentit që kryeministri mund t’i delegojë interpelancën te dikush tjetër. Kërkoj shpjegime për Ramën, jo për Spiropalin, bëhuni serioze, ushtoni autoritetin si kryetare Kuvendit, ju jeni aty si garante e Kushtetutës, jemi republikë parlamentare dhe jo kryeministrore. Javës tjetër e nxori që ishte sëmurë, po sot ç’a arsye ka, ka marrë prap raport, është sëmurë prap, fshihet se e di që hetimet në SHBA nuk kanë përfunduar ende, ai nuk e di se çfarë ka në dosje”, tha Bardhi pas rifillimit te seancës.
Seanca vijoi më pas me miratimin e projektligjeve të rendit të ditës pas një kërkese të kryetarit të grupit parlamentar të PS që kërkoi ndërprerjen e diskutimeve.
Rendi i ditës u miratua vetëm me votat e mazhorancës ndërsa një pjesë e deputetëve të PD-së kishin bllokuar foltoren, një pjesë tjetër i binin tavolinave me bidona uji, disa të tjera i binin bilbilit.
Në fund të seancës, për mediat foli edhe Enkelejd Alibeaj i cili nukkishte gjatë seancës.
Në një deklarim për mediat në oborrin e Kuvendit, Alibeaj tha:
‘Është e turpshme, për një skandal të madh të bërë publik jo bazuar në një thashethemnajë por të drejtësisë amerikane ka një pretendim se është përfshirë në një vorbull korruptive shumë të rëndë. Ai ka detyrim politik institucional ligjor që ti përgjigjet një kërkesë për interpelancë. Faktet që kanë dalë nga dokumentet amerikane i referohen atij. Takimet e personave të marrë të pandehur janë takuar me kryeministrin jo me dikë tjetër. Më e pakta do të ishte detyrimi për të ardhur në sallën e parlamentit. A është ai që ka dhënë para për të sulmuar opozitën. Ka detyrime politike. Heshtja ju takon vetëm atyre shtetasve shqiptar që janë marrë të pandehur nga drejtësia shqiptare. Të dhënat janë publik edhe të dhënat i janë vënë në dispozicion dhe për këtë arsye, procedimi penal do duhet të fillojë një orë e më parë. Ai do të heshtë, nuk ka për të ardhur. Heshtja do të jetë inkriminimi i tij. Ka dy seanca që nuk ka ardhur. Praktikisht sot ky vend nuk ka kryeministër ‘de facto’. Sot isha për një vizitë zyrtare në SHBA, kam kërkuar që t’u lehtësoj të gjitha problemet që ka krijuar ky njeri. Nuk qëndron delegimi i interpelancës. Duhet të jepet fakte, për rrethana dhe ngjarje që kanë pjesëmarrës personalisht Edi Ramën” tha Alibeaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje