Bota

‘Qatar-gate’, Parlamenti Evropian i heq imunitetin 2 eurodeputetëve të akuzuar

Gazeta Si – Parlamenti Evropian i hoqi imunitetin parlamentar belgut Marc Tarabella dhe italianit Andrea Cozzolino këtë të enjte.

Vendimi erdhi pas kërkesës së gjykatës belge, e cila kërkon të hetojë më tej rolin e dy deputetëve në skandalin “Qatar-gate”.

Pas miratimit unanim në Komisionin për Çështjet Ligjore në fillim të kësaj jave, seanca plenare e hemisferës evropiane dha dritën jeshile edhe për heqjen e imunitetit dy deputetëve.

Kërkesa për heqjen e imunitetit vjen nga gjykata belge. Ajo është pjesë e hetimeve për korrupsion të mundshëm në Parlamentin Europian, ku përfshihen emrat e Katarit dhe Marokut.

Tarabella dhe Cozzolino mohojnë se kanë marrë ryshfet, por nuk e kundërshtuan heqjen e imunitetit të tyre. Vetë Tarabella votoi pro.

Eurodeputetët në parim mbrohen nga ndjekja penale nga gjyqësori. Në këtë mënyrë ata nuk mund të vihen nën presion dhe mund ta bëjnë punën e tyre lirisht.

Por, kjo nuk vlen për ata që kapen në flagrancë, si për shembull nënkryetarja e shkarkuar e PE, Eva Kaili, e cila u arrestua në dhjetor.

Kaili dhe tre të dyshuar të tjerë të skandalit “Qatar-gate” janë aktualisht në paraburgim.

Ish eurodeputeti Pier Antonio Panzeri, i cili konsiderohet si strumbullari i praktikave të ryshfetit të supozuar të Katarit dhe Marokut, është paraqitur si një dëshmitar kyç.

Panzeri thuhet se i ka paguar Tarabellës 120 mijë euro për përfaqësimin e interesave të Katarit në parlament. Policia kontrolloi gjithashtu shtëpinë e Tarabellës në dhjetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë