19 deputetë të opozitës depozituan për herë të dytë në Kuvend kërkesën për mocion me debat (pa limit kohor) për çështjen Rama – McGonigal.
Listës i janë bashkuar deputetët e Partisë së Lirisë dhe deputetët e grupit Berisha, por jo të Alibeajt.
“Ditët e fundit opinioni publik shqiptar dhe ndërkombëtar është tronditur prej një skandali të përmasave ndërkombëtare që ka përfshirë edhe Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Sipas të dhënave të publikuara nga Byroja Federale e Hetimit (FBI), Departamenti i Drejtësisë Amerikane, dhe media amerikane e ndërkombëtare, më 21.01.2023 është arrestuar zyrtari i lartë i FBI, Charles McGonigal, i akuzuar për shkelje të sanksioneve ndaj oligarkut rus Oleg Deripaska, me lidhje të ngushta me Presidentin rus Vladimir Putin, si dhe për fshehje, manipulim dhe falsifikim të të dhënave për kontakte të papërshtatshme me shtetas të huaj, ku përfshihet Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe dy bashkëpunëtorë të tij që nuk mbajnë poste zyrtare në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në dokumentin e deputetëve të opozitës.
Më tej renditen takimet e Ramës me McGonigal, duke e çuar stekën deri aty sa thonë se, “Edi Rama përfshihet si subjekt hetimi dhe akuzash për përfshirje në korrupsion ndërkombëtar”
Nuk dihet se pse PD-ja e ka depozituar për herë të dytë kërkesën në një kohë që Nikolla lajmëroi të enjten se kërkesa (e parë) për mocion e PD do të protokollohej dhe shqyrtohej në konferencën e kryetarëve brenda tre ditëve nga data e depozitimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje