Politike

Asnjë shqiptar i lënduar prej tërmetit në Turqi, Rama: Një mision shpëtimi niset sot për ndihmë

Gazeta Si – Në një mesazh në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama thotë se dihet i pikëlluar nga pasojat e tërmetit tragjik në Turqi dhe Siri.

Përmes një postimi në Twitter, Rama shpreh ngushëllimet e tij për jetët e humbura dhe uron shërim të shpejtë për të lënduarit. Ai shton se një mision shpëtimi do të niset sot drejt Turqisë.

“I pikëlluar thellësisht për lajmin e mëngjesit të sotëm për tërmetin shkatërrues që goditi disa pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Ngushëllimet tona më të thella për familjet e shumta që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Turqi”, – shkruan kreu i ekzekutivit.

Përmes komunikimit zyrtar të Ministrisë së Jashtme me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Turqi (që prej orëve të para të mëngjesit e deri tani), nuk ka informacion për shqiptarë të lënduar ose që mund të kenë humbur jetën.

Në Turqi jetojnë dhe punojnë me qindra shtetas shqiptarë, por për fat të mirë deri tani nuk raportohet për të lënduar.

Ministrja për Punët e Jashtme dhe për Evopën, Olta Xhaçka, ka ndarë mesazhin e saj duke garantuar ndihmën për Turqinë nga ana e Shqipërisë pas tërmetit tragjik që goditi mëngjesin e kësaj të hëne Turqinë dhe Sirinë.

“Lutjet tona shkojnë për viktimat e tërmetit tragjik që goditi Turqinë dhe Sirinë sot duke shkaktuar qindra viktima. Në këtë moment të vështirë ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Turqinë në çdo mënyrë që mundemi”, – shkroi Xhaçka.

Edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për tërmetin tragjik në Turqi dhe Siri.

Përmes një postimi në Twitter, kreu i Shtetit shkruan se ai dhe shqiptarët janë pranë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre nga kjo tragjedi e tmerrshme.

“I pikëlluar thellësisht nga tërmeti shkatërrues që goditi #Turkiye dhe #Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve të tyre, që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme, duke shprehur ngushëllimet, mendimet dhe lutjet tona të sinqerta”, shkruan Begaj.

Rreth 600 persona kanë mbetur të vrarë dhe mbi 3 000 të tjerë të plagosur në Turqi dhe Siri, pas tërmetit me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë jugore orët e para të së hënës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë