Njerëzit që jetojnë në Sirinë veriperëndimore janë mësuar të zgjohen natën nga shembja e ndërtesave. Shpesh, shkatërrimi shoqërohet nga zhurma e avionëve që fluturojnë sipër, ndërsa Bashar al-Assad dhe aleatët e tij rusë hedhin bomba në shkolla, spitale dhe infrastrukturë tjetër civile.
E kapur mes regjimit të Damaskut dhe grupeve militante në kontroll të zonës, jeta për popullsinë e vlerësuar prej 4.5 milionë është tashmë shumë e vështirë: si dhe sulmet ajrore, në disa vende ka ende luftime episodike tokësore, dhe 91% e njerëzve këtu varen nga ndihma për të mbijetuar. Tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi rajonin në orët e para të së hënës dhe goditja e dytë e fortë disa orë më vonë, do të shtojnë vuajtjet tashmë të patolerueshme.
“Në fillim mendova se ishin helikopterët që hidhnin bomba me fuçi. U zgjova dhe shkova për të kapur djalin tim,” – tha Ismail Alabdullah, 36 vjeç për The Guardian, një vullnetar me shpëtimtarët e Helmetave të Bardha nga fshati Sarmada.
“Ne jemi mësuar të nxjerrim njerëz nga rrënojat, por kjo është ndryshe. Kaq shumë njerëz janë ende të bllokuar dhe ata do të vdesin sepse ne nuk kemi pajisje të mjaftueshme për t’i arritur të gjithë. Nuk ka mbetur asgjë, asgjë fare.”

Një total prej 783 vdekjesh janë raportuar në të gjithë Sirinë, me 138 prej tyre në territorin e kontrolluar nga opozita, por numri ka të ngjarë të rritet me qindra, nëse jo mijëra, me më shumë njerëz që besohet se janë ende të bllokuar nën mbeturina, thanë mjekët.
Ishte ora 04:17 me orën lokale kur Erdemi, i fjetur në shtëpinë e tij në Gaziantep, në jug të Turqisë, u trondit nga gjumi nga një nga tërmetet më të mëdha të Turqisë.
Për shkak të kohës në të cilën nisën lëkundjet që shkaktuan më pas tragjedinë me mijëra të vdekur e të plagosur, qytetarët ishin në shtëpitë e tyre.
“Unë kurrë nuk kam ndjerë diçka të tillë në 40 vitet që kam jetuar. Njerëzit shkuan te makinat e tyre për t’i shpëtuar ndërtesave të dëmtuara. Asnjë person i vetëm në Gaziantep nuk është në shtëpitë e tyre tani”, tha Erdem, një nga të mbijetuarit, teksa fliste për tërmetin që nisi në orën 04:17 me orën lokale.
Më shumë se 209 km në perëndim, në Adana, Nilüfer Aslan ishte e bindur se ajo dhe familja e saj do të vdisnin kur tërmeti tronditi banesën e tyre në katin e pestë.
“Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë në jetën time. Ne u lëkundëm për afër një minutë. I thashë familjes time të paktën të vdesim së bashku në të njëjtin vend. Ishte e vetmja gjë që më shkoi në mendje. Nuk mund të merrja asgjë me vete, po qëndroj jashtë me pantofla “, tha ajo.
Në Dijarbakir, njerëzit nxituan në rrugë për të ndihmuar ekipet e shpëtimit.
“Kishte ulërima kudo. Fillova të hiqja gurët me duar. Ne i nxorëm të plagosurit, por ulërimat nuk u ndalën. Më pas erdhën ekipet e shpëtimit”, tha një burrë 30-vjeçar për agjencinë e lajmeve Reuters.
Diku tjetër në qytet, Muhittin Orakci tha se shtatë anëtarë të familjes së tyre kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
“Motra ime dhe tre fëmijët e saj janë atje. Gjithashtu burri i saj, vjehrri dhe vjehrra e saj.”, tha ai për agjencinë e lajmeve AFP.
Özgül Konakçı, një 25-vjeçar që jeton në Malatya, Turqi, tha se pasgoditjet dhe moti i ftohtë i përkeqësuan gjërat.
“Është shumë ftohtë dhe po bie borë tani. Të gjithë janë në rrugë, njerëzit janë të hutuar dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë”, tha ai për BBC Turkish.
Ndërsa një tërmet i dytë ndodhi në orën 10:24 GMT, një operator i kamerës për kanalin turk të lajmeve A Haber mund të shihej duke vrapuar nga një ndërtesë që po shembej në Malatya ndërsa klithma dëgjohej në sfond.
“Ndërsa po shkonim drejt rrënojave për të [filmuar] përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit, pati dy pasgoditje të njëpasnjëshme me një zhurmë të madhe. Ndërtesa që po shihni në të majtën time u rrëzua në tokë. Ka shumë pluhur. Një banor vendas po vjen dhe ai është mbuluar nga pluhuri. Një nënë po i merr fëmijët dhe po largohet,” tha në transmetim reporteri Yuksel Akalan.
Ozgul Konacki, 25 vjeç dhe nga Malatya, foli teksa priste jashtë me familjen e saj, pasi kishte parë ndërtesat rreth tyre të shembeshin.
“Disa njerëz donin të ktheheshin në shtëpitë e tyre sepse ishte shumë ftohtë, por më pas ne ndjemë pasgoditje të forta dhe ata dolën përsëri jashtë”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje