Konferenca e kryetarëve në Kuvend miratoi kërkesën e opozitës për mocion me debat me kryeministrin Edi Rama, për çështjen McGonigal. Kërkesa ishte për mocion me debat në seancën plenare për ish-agjentin e arrestuar të FBI-së, ishte bërë nga 19 deputetë. Ndërkaq është shtyrë kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor ndaj Ramës, lidhur me këtë çështje.
“… Jemi të gatshëm për zhvillimin e një mocioni me debat dhe këtë gatishmëri e kemi shprehur edhe sot në konferencën e kryetarëve. Ka marrë vendimin për zhvillimin e një mocioni me debat. Sa i përket kohës se sa orë dhe kur do të zhvillohet ky debat le të jetë një diskutim. Konferenca e kryetarëve ka miratuar zhvillimin e mocionit me debat. Mocioni me debat do të zhvillohet. Mbetet të caktojmë sa i gjatë do të jetë debati, të jetë një prej 12 orësh”, tha Taulant Balla.
Pikë e dytë është kërkesa 44 deputetëve të Grupit Parlamentar të PD për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së takimeve të Kryeministrit Edi Rama me agjentin e FBI-së, Charles. Por kjo pikë e dytë është shtyrë.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se duke mos pranuar këtë kërkesë të opozitës, mazhoranca asgjësonte totalisht njërin prej instrumentave më të rëndësishëm. Mes të tjerash, ai shtoi se arsyeja për këtë është qëllimi për të fshehur Ramën, i cili sipas tij është nën hetim.
“E katërta ishte kërkesa për komision hetimor. Ka të përcaktuar objektin që dihet tashmë, Rama-Gonigal. Kjo kërkesë ka të përcaktuar edhe numrin e anëtarëve të komisionit hetimor dhe afatin limit 4 mujor. Më pas që prej këtu ishte qesharake e gjitha. E shtynë kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor dhe ky është asgjësim total i njërit prej instrumentave më të rëndësishme të opozitës. Janë bërë gardh të gjithë si e si ta fshehin, me shkelje flagrante të ligjit për komisionit hetimor. Nuk bën çudi sepse 3 seanca parlamentare kanë dalë nga normaliteti dhe synimi i vetëm është fshehja e Edi Ramës i cili mesa duket është nën hetim. Heshtjen mund ta përdorësh vetëm kur je i akuzuar para prokurorisë por kur je kryeministër i një vendi ke detyrim t’i përgjigjesh gjithçkaje”, tha Alibeaj.
Sipas PD, komisioni hetimor duhet të verifikojë edhe “nxitjen, ndikimin, porositjen, përdorimin, përfshirjen përmes premtimit dhe ofrimit të favoreve, ryshfetit apo pasurive publike ndaj agjentit special të FBI-së Charles McGonigal dhe ose agjentë të tjerë të përfshirë për përfitime politike të kryeministrit Edi Rama dhe goditjen apo dëmtimin politik të opozitës shqiptare”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje