Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se “është nën akuzë dhe i faktuar botërisht për implikimin e tij të drejtpërdrejtë në aferën korruptive shtetërore “McGonigal”.
“Në dritën edhe të fakteve të reja të pakundërshtueshme dhe shokuese të publikuara çdo ditë nga mediat amerikane, në veçanti nga prestigjozet New York Times dhe CNN, është tashmë e provuar se mes Edi Ramës dhe McGonigal nuk ka patur kurrë një bashkëpunim për çështje rajonale siç gënjen publikisht Kryeministri, por vetëm një aferë të zezë mafioze, personale dhe politike, për të asgjësuar, me paratë e korrupsionit qeveritar, demokracinë, pluralizmin politik dhe shtetin ligjor në Shqipëri.
Një biznes i vërtetë, prapa të cilit fshihen edhe liçenca për shpime nafte për subjekte të lidhura me çështjen, që fakton një tjetër akuzë, të bërë më herët edhe nga opozita, për trajtimin e Shqipërisë dhe pasurive publike të shqiptarëve, si plaçkë trafiku dhe pronë private të Edi Ramës”, tha ai.
Blushi tha se “është detyrim kushtetues i Kuvendit të Shqipërisë, të pranojë kërkesën e opozitës me 13 pyetje për interpelancë me Kryeministrin dhe pranimin e kërkesës tjetër për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar”
“Ndaj në 11 shkurt, ora 12:00 i gjithë populli shqiptar do të jetë në këmbë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ para Kryeministrisë, në protestën kombëtare të thirrur nga opozita kundër këtij regjimi mafioz, që shqiptarët janë të vendosur ta shkulin nga rrënjët në zyrën e Kryeministrit”, tha Blushi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje