Kuvendi ka lajmëruar se nuk ka seancë të enjten në kuadër të javës së gjelbër, por një mini-seancë u zhvillua të mërkurën në komisionin e etikës në kryesinë e Kuvendit ku po vlerësohej masa që kishin kërkuar 7 deputetë të PS-së për përjashtimin me 10 ditë të 8 deputetëve të PD-së, Luciano Boçi, Albana Vokshi, Ina Zhupa, Luan Baçi, Tritan Shehu, Bledion Nallbati, Ervin Salianji, dhe Gazment Bardhi
Mbledhja u vlerësua nga PS të mbahej me dyer të mbyllura duke u kundërshtuar nga deputetët e PD.
Albana Vokshi e transmetoi ‘Live’ dëgjesën në faqen e saj në Facebook dhe përmbajtja e asaj dëgjese nuk ndryshonte nga ajo që ndodh në seancë, ku secila prej palëve e shkel rregulloren sipas interesave politike.
Deputetët e PD-së i kujtuan kryetares së Komisionit Klotilda Bushka se kishin shkelur rregulloren pasi 8 deputetët ishin thirrur për dëgjesë jashtë afateve.
Shtatë deputetët e PS (që nuk ndodheshin në komision) kishin propozuar me shkrim përjashtimin ditën e enjte të javës së kaluar, menjëherë pasi kishte përfunduar seanca.
Deputetja Ina Zhupa i tha koleges së saj Bushka se në bazë të rregullores, komisioni duhet të mblidhej brenda 48 orëve nga dita e propozimit për përjashtim.
Duke qenë se ishte edhe fundjava para, maksimalisht mbledhja duhej të mbahej të hënën dhe jo të mërkurën.
Në anën tjetër, Bushka ndër radhë u kujtonte deputetëve të PD-së kishin shkelur rregulloren të enjten pasi nuk kishin lejuar zhvillimin normal të seancës.
Të gjithë në atë degjese që nuk zgjati shumë kujtonin shkeljen e rregullores nga pala kundërshtare, njëra që bazohej tek seanca e të enjtes dhe tjetra që i kujtonte afatet e shkelura për mbledhjen e të mërkurës.
Mbledhja u ndërpre papritur, pasi Klotilda Bushka njoftoi se duhet të ishte prezent në një tjetër mbledhje atë të Këshillit të Legjislacionit. Pas rifillimit të dëgjesës dhe diskutimeve, mazhoranca vendosi me kartonin e numrave përjashtimin e deputetëve të PD
Debati
“Jemi në kushte e paligjshmërisë së zhvillimit të kësaj mbledhje pasi mbledhja duhej bërë 48 orë pas paraqitjes së kërkesës, kërkesa ishte bërë të enjten, ju duhet ta bënit që të hënën. Ju sot keni në shqyrtim një kërkesë tjetër që është për shkarkimin e Nikollës ajo vjen pasi nuk është zbatuar rregullorja. Nuk na dha mundësinë të flisnim, të kërkonim mocion me debat nuk na dha fjalën për procedurë dhe për shkeljet e saj doni t’na përjashtoni ne. Ku është parë kjo, kjo nuk është parë në asnjë vend me logjikë normale. Duhet të kishit shqyrtuar njëherë atë kërkesë pastaj të mblidheshim ne. Ne e akuzuam me fakte dhe prova.
Ku janë faktet dhe provat që unë dhe kolegët e mi kemi shkelur rregulloren e Kuvendit? Ku është fakti dhe prova që unë kërkova të drejtën me buton dhe nuk më është dhënë? Ku janë këto prova se nuk mund të bëjmë ne gjyq këtu pa këto. Ama provat duhet sjellë një copë letër. Pra në momentin që ju sillni vetëm një copë letër me dy faqe që thotë mu duk mua se etj, në parlament duhet të ngresh kartonin kur thotë Taulant Balla po nuk është shkelje kur kërkon kryeministrin ne parlament që kërkon të zbatohet rregullorja nuk është shkelje, dhe unë kam folur me mikrofon aq minuta sa më është dhënë dhe kur e kam kërkuar nuk mu dha, kjo është shkelje jo se kërkoj unë fjalën”, tha Zhupa.
Gjithashtu Zhupa u shpreh se deputetët nuk u lejuan të flisnin për skandalin “McGonigal” pavarësisht se sipas saj e gjithë bota flet për të.
Zhupa solli rastin e një deputeti të PS-së te enjten e kaluar ku votoi edhe ne emër të një deputeti tjetër që nuk ishte prezent ne sallë
“Nga ana tjetër ju të gjithë keni parë se si Baftjar Zeqo votoi për kolegen ngjitur atë seancë që nuk na dhatë emrin. Si mund të bëhet kjo seancë pa një provë ose video do të doja që deputetët të ishin këtu e të flisnin vetë t’i dëgjonim dhe ata. Pe ne kërkuam Ramën për skandalin McGonigal se po flet e gjithë bota, Amerika ngriti komision ndërsa ju nuk ka lejoni. Në momentin që ju nuk keni prova, kjo që po bëjmë sot është e kotë”, tha ajo.
“E kuptoj që jeni në siklet, ju po bëni gjyq politik edhe Sigurimi i Shtetit do ua kishte zili për të përjashtuar tetë deputetë. Para një jave 5 të tjerë u përjashtuan. Keni përjashtuar 13 deputetë për një javë
A ju vjen zor që ndiqni urdhrat e Edi Ramës… Rama duhet të ishte dorëhequr që ditën e parë me korruptimin që i ka bërë agjentit të FBI po kërkoni të na ktheni në monizëm…
Vetëm pushkatimi ka mbetur. Nuk ke një nen në rregullore që thotë që mbledhjet të bëhen të mbyllura përveç faktit që jeni në shkelje procedure totale, kjo mbledhje është nul nuk duhet të na kishit thirrur sot në këtë mbledhje”, tha Vokshi
Më herët foli edhe deputeti Luçiano Boçi
“ Jemi në shkelje të dy neneve të rregullore. Nëse flitet për etikë, etika në radhë të parë është zbatimi i ligjeve të shkruara. E dini shumë mirë frikën tuaj për të folur për skandalin e Ramës dhe mundoheni të shuani zërat e opozitës.
Mënyrat e sjelljes tuaj është që të na mbyllni gojën ne. Edhe kaq gjëra të vogla që ne i konsiderojmë pjesë të luftës politike. Ne do themi këto që do përcaktojmë. Kryetarja e kuvendit i ka shkelur ligjin me të dyja këmbët. Kërkesa jonë ka qenë e qartë. Kemi qëndruar në foltore me të drejtën tonë për të kërkuar fjalën. Nuk na pengon njeri. E njeh rregullorja. Unë mund ta marr fjalën sa herë dua. Personi që duhet të vinte për shkelje etike këtu duhet të ishte kryetarja e parlamentit.
Po shkelni në mënyrë konseguente rregulloren e parlamentit. Vini këtu dhe na tregoni rregulloren kur ti e nis mbledhjen me shkelje të rregullores. Keni marrë urdhër për të dënuar deputetët e PD sepse nuk ju pëlqen ju sipas oreksit të fjalëve të thëna dhe akuzave të vërteta të dala me fakte nga mediat ndërkombëtare dhe që priten që ato çështje penale të hapura në SHBA të vazhdojnë edhe këtu në Shqipëri”, tha Boci.
Bushka kujtoi gjatë dëgjesës se kishte tre jave që deputetët e PD-së po luanin në Kuvend.
“Po ju që po lozni 10 vjet me ne”, replikoi Nallbati
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje