Politike

Xhaçka: Nuk ka informacione për shqiptarë të prekur nga tërmeti në Turqi

Pas mbledhjes së Qeverisë, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, u shpreh se deri tani zyrtarisht nuk ka informacione për qytetarë me nënshtetësi shqiptare që të kenë qenë banorë të zonave të prekura nga tërmeti në Turqi.

“Sot që flasim paçka se kemi vënë në dispozicion numra kontakti përmes ambasadës dhe konsullatës apo adresa emaili dhe kemi koordinuar këtë lloj komunikimi nuk kemi asnjë informacion për qytetarë shqiptarë, pra me nënshtetësi shqiptare, që të kenë qenë pjesë apo rezidentë të këtyre zonave, apo të kenë humbur kontakte me familjarë të tyre. Kemi pasur informacion për rreth 10 familje me origjinë shqiptare. Të parët e tyre janë zhvendosur në Turqi 100 vjet përpara. Pra jo me nënshtetësi shqiptare, por me origjinë shqiptare, që fatmirësisht janë në kontakt me të afërmit e tyre paçka se e kishin humbur atë në momentet e para”, tha ajo.

Ndërsa Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se është vendosur të rritet numri i kontigjentit që do të dërgohet në Turqi pas tërmetit.

Peleshi bëri me dije se janë dërguar 73 forca kërkim-shpëtimi, forca ushtarake dhe mjete.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave që është miratuar ka të bëjë kontigjentin e dërguar në Turqi. Ne i jemi përgjigjur menjëherë përmes mekanizimit europian, ndërsa kemi bërë ndryshim të këtij vendimi, me qëllim shtimin e numrit.

Në Turqi janë dërguar 73 forca kërkim -shpëtimi, që janë ekspertët më të mirë në vend, por edhe forca ushtarake si edhe mjete të nevojshme. Kemi marrë një falënderim publik nga mekanizmi europian i mbrojtjes civile, në të cilin nuk  kemi shumë që jemi bërë pjesë.

Jemi një vend i vogël, por me zemër të madhe. Kontributi jonë atje nuk është modest, por i qenësishëm”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë