Gazeta Si – Hetimi ndaj ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, ka ngritur një furtunë përplasjesh mes demokratëve dhe shefit të qeverisë, Edi Rama. Kjo për faktin se në dosjen hetimore përmenden vizitat e padeklaruara të McGonigal në Shqipëri dhe në shtetet e tjera të Ballkanit. Ato nuk janë deklaruar nga shefi i kundërzbulimit të FBI-së.
Akuzave të forta të opozitës u është përgjigjur deri më tani vetë kryeministri Edi Rama, me anë të reagimeve në rrjetet sociale. Por së fundmi reagimet kanë ardhur edhe nga zyrtarët e lartë socialistë. Këtë të enjte do të ishte fillimisht zëvendëskryeministrja Belinda Balluku që reagoi publikisht për një intervistë të dhënë nga ish e dashura e McGonigal në një nga televizionet shqiptare.

“Tashmë është kthyer në një telenovelë historia që dje zonja, ish e dashuria e ish-agjentit në fjalë, tregonte se si është paguar për të dhënë një intervistë në Shqipëri, si zakonisht ne kemi një dëshirë të madhe edhe të paguajmë për të bërë vendin tonë pis, qeverinë edhe kryeministrin”, – tha Balluku sot pas mbledhjes së qeverisë.
Pas disa orësh një tjetër emër big nga radhët e socialistëve i doli në mbrojtje liderit të mazhorancës. Do të ishte pikërisht kryebashkiaku Erion Veliaj që nëpërmjet një interviste televizive do ta cilësonte çështjen ‘McGonigal’ si një furtunë në një gotë uji.
“Shumë zhurmë për asgjë, të bësh një stuhi në gotë pse takohen njerëz, jam i sigurt se diferenca e madhe është që në dallim nga Damir Fazlliç, që qeveria e merrte dhe e ulte në Këshillin e Sigurimit, këta janë njerëz që mbarojnë vizitat e kortezisë dhe vazhdojnë në punën e tyre.
Dhe kjo është arsyeja që opozita është kaq e frustruar, sepse është një gjë nuk po ngjit. Por të bëhet hall kombëtar kë takoi kryeministri, që jam i sigurt që në karrierën e tij ka takuar mijëra njerëz, edhe një fraksion prej tyre mund të ketë bërë gabimet e jetës së tyre, pasi kanë dalë nga ajo zyrë, më duket diçka që nuk ngjit, diçka që nuk po prodhon politikë konkrete dhe diçka që nuk është në interes të njerëzve”, – tha Veliaj.
Prej kohësh ka pasur një debat në media për faktin se pse kryebashkiaku Veliaj apo funksionarë të tjerë të lartë nuk po reagonin ndaj sulmeve të opozitës ndaj Ramës për çështjen ‘McGonigal’, duke aluduar për një përplasje brenda së majtës.
Sakaq në korridoret e PS-së përflitet edhe heshtja e disa ministrave, të cilët mbajnë poste kyçe në qeverinë. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, shmangu komentet me qëndrime politike një javë më parë, duke u shprehur se personalisht nuk e kishte komentuar ‘McGonigal’.
“Policia ka marrëdhënie me institucionin, me FBI-në dhe jo persona të caktuar, policia është e asistuar në bazë të një marrëveshje që kemi. Hera e fundit konkrete ka qenë në rastin e sulmit kibernetik, që ne kem pasur ndihmën e FBI-së. Ka qenë ekspertiza e tyre, që ka identifikuar origjinën e sulmeve kibernetike. Ne marrëdhëniet i kemi me institucionin, emrat e përveçëm i vendos FBI. Nëse doni ta dini, unë personalisht nuk e kam takuar”, – deklaroi Çuçi më 1 shkurt.
Ndërkohë që edhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, kur u pyet dhe për akuzat e ngritura nga opozita për çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, tha se “këto në fakt nuk janë pyetje për mua. Bëhen për të bërë zhurmë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje