Deputetja e PD-së, Ina Zhupa tha përmes një deklarate për mediat se Edi Rama kërkon t’i japë një mandat të dytë Skënder Gjinushit si kryetar i Akademisë së Shkencave në kundërshtim me ligjin.
“Edhe pse mandati i tij aktual është në Gjykatë Kushtetuese dhe pret shqyrtimin; edhe pse zgjedhja e tij në krye të Akademisë nuk është dekretuar nga Presidenti i Republikës se ishte antiligjore; edhe pse është denoncuar publikisht si pazar që ka në mes shitjen e ish-partisë së Gjinushit për interesat politike të Ramës, prapë Kryeministri nuk ndalet”, tha Zhupa duke e bashkuar, siç tha, shqetësimin e saj me zërin e akademikëve Artan Fuga dhe Apollon Baçe.
“Akademiku Baçe ka ngritur dy pyetje në analizën vjetore të Akademisë së Shkencave në lidhje me kërkesën për ndryshimin e ligjit, të propozuar nga dy deputetë socialist dhe që lejon rizgjedhjen e Gjinushit në krye të institucionit:
1- Shkak për kërkesën e amendimit të ligjit, a u bë shqetësimi vetjak i deputetëve për situatën në Akademi, apo kjo kërkesa u përgatit dhe ju delegua atyre nga kryesia e Akademisë?
2- Nëse kërkesa u delegua nga kryesia e Akademisë, përse ajo nuk u diskutua dhe miratua në asamble, siç e kërkon paragrafi 6 i nenit 11 të ligjit, i cili ngarkon për miratimin dhe ndryshimin e statutit asamblenë, jo kryesinë?
Partia Demokratike e thekson këtë shqetësim dhe paragjykon, me të drejtë, edhe staturën e dy deputetëve propozues të PS, që kanë kërkuar amendimin ligjor. Kjo për faktin se as z. Petro Koçi dhe as z. Ismet Beqiraj nuk njihen si njerëz të arsimit dhe shkencës së lartë, dhe as kanë lidhje me botën akademike”, tha ajo. Duke përdorur fjalët e akademikut Bace, Zhupa tha se nuk mund të lejohet një McGonigal i dytë edhe në Akademinë e Shkencave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje