Politike

Shkarkimi i Nikollës, kalon vetëm raporti i PS, relatori nga PD Gazment Bardhi është i përjashtuar

Këshilli i Legjislacionit u shoqërua me debate lidhur me kërkesën e PD për shkarkimin nga detyra e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës.

Fillimisht, Partia Demokratike kërkoi shtyrjen e seancës në këshillin legjislativ.

Shkak ishte përjashtimi i deputetëve, mes tyre edhe Gazment Bardhi, relatori i cili do të ligjëronte raportin e PD-së.

“Kërkuam që zoti Bardhi të ishte prezent. Por jo vetëm që nuk e plotësuan kërkesën tonë, por e përjashtuan me karton deputetin. Do ndjekim të gjitha procedurat e vijuara dhe më tej, ato çfarë parashikohen”, tha deputetja e PD-së, Dhurata Çupi.

Ndryshe nga PD (që i mungonte relatori i përjashtuar),  Etilda Gjonaj prezantoi nga ana e PS raportin që do t’i kalojë Kuvendit për votim duke kundërshtuar shkarkimin e Nikollës.

Ne foto: Saimir Koreshi dhe Dhurata Çupi

“Këtë mbledhje debatuam dhe nuk lejuan që kamerat jenë në sallë në transparencë me publikun dhe median. Në mbledhjen e kaluar u vendos që ditën e premte të lexoheshin raportet nga palët përkatëse. Relator u caktua Gazment Bardhi. Pasi u mbyll këshilli i legjislacionit të mërkurën, Bardhi u përjashtua për 10 ditë nga mbledhja e komisionit ”, tha Çupi.

Saimir Koreshi deputeti tjetër i PD tha se PS e ka me ngut të miratojë raportin pro Nikollës në Kuvend

“Shpejtësia me të cilin marrin këtë vendim është se në momentin kur do kalojë në Kuvend 9 deputetë demokratë nuk do jenë të pranishëm. Në tejkalim të afateve 48 orë u bë pas 6 ditësh përjashtimi i tyre. Është kaluar në datën 8 shkurt ndërkohë që rregullorja e kuvendit parashikon që brenda 48 orëve ky sekretariat duhet të kishte marrë vendim. Këta e kanë si me qejf të hënën ta fusin raportin, por dhe të enjten prapë kolegët tanë s’janë. Kjo është një maskaradë që bëjnë, por ndoshta përgjigjen e marrin nesër”, tha Koreshi duke iu referuar protestës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Raporti i PD që nuk u lexua në Keshillin e Legjislacionit do të kalojë direkt për miratim në Kuvend

Më herët, të mërkurën Kreu i Grupit parlamentarë të PS, Taulant Balla tha se kërkesa e PD për shkarkimin e Nikollës nuk qëndron dhe për pasojë nuk do të pranohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë