Gazeta Si- Ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetët Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Edi Paloka do të mungojnë në seancën e së enjtes. Berisha dhe Noka u përjashtuan me nga 10 ditë, ndërsa Këlliçi e Paloka me nga 5 ditë. Seanca pritet të ketë njëjtën skenar si ajo e hënës, Parlamenti nga jashtë do të jetë i rrethuar nga protestuesit e opozitës, ndërsa një nga pikat më të nxehta të rendit të ditës është diskutimi i nismës së opozitës për shkarkimin e kryeparlamentares Lindita Nikolla. Nisma e firmosur nga 28 deputetët ka bashkuar të dyja grupimet e demokratëve të Berishës dhe Alibeajt, por socialistët në raportin e paraqitur e kanë kundërshtuar dhe me shumë gjasa nuk pritet të hidhet në votim. Kjo çështje pritet të përbëjë edhe një shkaqet e rritjes së tensioneve mes socialistëve dhe demokratëve në seancën që nis në ora 10:00.
Në mbledhjen me deputetët mbështetës, Berisha deklaroi se protesta është provë force dhe se do të tentohet që Rama të mos futet në Parlament.
“Nesër është një ditë prove, prove e fortë. Protesta është thirrur në orën 10, sepse në orën 10, RamGonigali hyn në parlament.
A ka përdhosje më të madhe për atë parlament se hyrja e kryeministrit si RamGonigali? A ka përdhosje më të madhe se fjala e tij aty? Prandaj qytetarë, siç zhvilluam të hënën që kaloi një betejë të shkëlqyer brenda dhe jashtë parlamentit, i bëj thirrje cilitdo, që ka minimumin e mundësive, të lërë çdo gjë dhe të vijë nesër në orën 10 në protestë.
RamGonigali nuk duhet të hyjë në parlament. Edhe po hyri, duhet të mbetet nën presionin e tmerrshëm të revolucionit aty ku është, dhe brenda parlamentit”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje