Politike

Protestë brenda e jashtë Kuvendit. Më 2 mars mocioni me Ramën për “McGonigal” (video)

Gazeta Si – Opozita e ka kthyer në kalë beteje skandalin me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, të arrestuar për korrupsion të niveleve të larta me oligarkë rusë, në dosjen hetimore të të cilit përmenden edhe lidhje me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama. Sot demokratët kanë fituar betejën e parë lidhur me këtë çështje: Të enjten e 2 marsit, në Parlament do të zhvillohet mocioni me debat me kryeministrin Rama, mocion i kërkuar prej deputetëve demokratë.

Data u caktua pas votimit të hapur në Parlament në seancën e kësaj të enjteje. Në mocion janë përfshirë edhe interpelanca dhe të gjitha pyetjet e kërkuara nga opozita.

Drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj, konfirmoi se në këtë seancë do jetë i pranishëm kryeministri dhe deputetët do të kenë mundësi të flasin pa përjashtim.

Kundër këtij propozimi të bërë nga nënkryetarja e Parlamentit, ka votuar deputeti socialist Erion Braçe ndërsa koha për mocionin me debat do të jetë pa limit.

Përkundrejt këtij vendimi në dukje të pëlqyeshëm për palët, seanca e sotme nuk ishte e tillë.

Para nisjes së seancës, deputetët demokratë të përjashtuar një ditë më parë, nuk u lejuan nga punonjësit e Gardës të futeshin në Parlament, duke shkaktuar momente tensioni.

Megjithë ankimimin e tyre, Byroja e Kuvendit la në fuqi vendimin për përjashtimin e 12 prej tyre, për shkak të shkeljes së rregullores në seancat e fundit.

Deputetët e përjashtuar të PD janë: Sali Berisha, Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Luçiano Boçi, Ina Zhupa, Albana Vokshi, Luan Baçi, Tritan Shehu, Ervin Salianji, Gazment Bardhi, Bledion Nallbati.

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, u shpreh nga foltorja se deputetët që janë të pranishëm në sallën plenare, përfaqësojnë ata që janë përjashtuar nga Kuvendi.

Gjatë fjalës së tij, Bylybashi kërkoi të ngritjen e një Komisioni Parlamentar për dosjen hetimore të “McGonigal”.

Nga ana tjetër, demokrati Enkelejd Alibeaj i bëri thirrje nënkryetares së Kuvendit, që të zbatojë rregulloren dhe sipas tij të kalojnte në rend dite kërkesë-përgjigjet e kërkuara me kryeministrin Rama, mocionin me debat dhe çështjen për Komisionin Hetimor.

Pas vendimit të Byrosë për të mos lënë demokratët e përjashtuar në sallën, deputetë e PD brenda në sallë këmbëngulën që në seancë të ishte vetë shefi i qeverisë, i cili edhe këtë të enjte mungoi. Ata bllokuan foltoren, ndërsa një pjesë e tyre u ka fryrë pa pushim bilbilave, duke krijuar kaos.

Pas përjashtimit, deputetët “rebelë” iu bashkuan protestuesve jashtë Parlamentit, ku nuk munguan edhe tymueset drejt policisë.

Protestës iu bashkua edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ai u shpreh se problemi i tyre është kryeministri Rama, teksa shtoi se pa largimin e tij nga pushteti, nuk ka drejtësi.

“Ata e kanë shndërruar Parlamentin në pasarelë mode, pasarelë me para të vjedhura, çfarë nuk sheh aty. Ata e duan Parlamentin për të mbrojtur interesat e krimit. Ata e duan Parlamentin vetëm e vetëm se si e si të mund të forcojnë lidhjet e tyre me krimin, me vjedhjen për të miratuar marrëveshje. Ju dëgjoj shpesh, më bëni mesazh, këtë çoje në SKAP, atë në Gjykatë Kushtetuese. Ne problem kemi Edi Ramën dhe pa e larguar Edi Ramën nuk ka drejtësi”, – komentoi Berisha.

Ndërsa aleati i tij, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e hapi fjalimin në foltoren e protestës së opozitës përpara Parlamentit me një frazë të himnit kombëtar.

Ai iu shprehu mirënjohjen të pranishmëve, ndërsa më pas shtoi se protesta do të japë rezultatet e saj.

Meta vijoi duke bërë përgjegjës Ramën dhe qeverinë e tij për afera të ndryshme korruptive, nivelin e jetesës në vend dhe ekonominë, sistemin e drejtësisë, emigracionin e shtuar të shqiptarëve dhe rikthimin e Shqipërisë nën monitorimin e BE për politikat fiskale.

Në fund, Meta e përmbylli me rikujtimin e protestës së opozitës më 3 Mars duke përdorur metafora për një fillim të ri.

Në protestën e opozitës që u mbajt para Parlamentit, deputeti demokrat Flamur Noka u tha se kryeministri Rama është i pashpresë, teksa ka shtuar se shqiptarët nuk mund të pranojnë që të kenë një kryeministër të korruptuar.

Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, tha se bllokimi i foltores së Kuvendit është skenar që ndodh nga deputetët e opozitës për shkak të një kallëzimi penal që kanë bërë sot në SPAK familjarët e viktimave të “21 Janarit”.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, debatoi ashpër me drejtuesen e seancës parlamentare Ermonela Felaj.

Kryemadhi tha se me këtë situatë të krijuar në parlament s’u ka mbetur gjë tjetër deputetëve, vetëm të marrin karriget për t’ua thyer në kokë njëri-tjetrit.

Edhe këtë të enjte, kryeministri Rama mungoi në sallën e Parlamentit. Prej më shumë se një muaji ai ka vendosur të mos flasë asnjë fjalë në Kuvend lidhur me skandalin e arrestimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal për korrupsion të niveleve të larta me oligarkë rusë.

Grupimi i Sali Berishës depozitoi në Kuvend në fillim të këtij muaji, një kërkesë për ndryshimin e rendit të ditës në seancën plenare të së enjtes.

Kjo ishte protesta e dytë e thirrur nga opozita brenda pak ditësh përpara Parlamentit, ku në të parën Sali Berisha u shpreh se “ky është fillimi i revolucionit demokratik për largimin e kryeministrit Rama me çdo çmim”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë