Bota

Bjellorusia do t’i bashkohej luftës në Ukrainë ‘vetëm’ nëse sulmohet

Gazeta Si – Lideri bjellorus Alexander Lukashenko, ka thënë të enjten se Bjellorusia do t’i bashkohej luftës në Ukrainë “vetëm” nëse sulmohet nga ushtria e Kievit.

“Jam i gatshëm të luftoj bashkë me rusët nga territori i Bjellorusisë vetëm në një rast: nëse një ushtar nga (Ukraina) vjen në territorin tonë me armë dhe vret njerëzit e mi”, ka thënë lideri bjellorus në një konferencë të rrallë me gazetarë të huaj në Minsk.

“Kjo vlen edhe për fqinjët tjerë, – ka thënë Lukashenko. – Nëse ata kryejnë agresion kundër Bjellorusisë, përgjigjja jonë do të jetë mizore. Më mizorja!”.

Minsku e ka lejuar Kremlinin ta shfrytëzojë tokën bjelloruse që të përgatitet për luftën e nisur kundër Kievit në shkurt të vitit të kaluar.

Bjellorusia ende është pritëse e disa ushtarëve rusë, mirëpo Lukashenko është zotuar se nuk do të dërgojë forcat e tij – që vlerësohet të jenë mes 60-70.000 – në kufirin jugor me Ukrainën.

Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të Lukashenkos, ka shqetësime se trupat e tij mund të përfshihen në luftë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë muajin e kaluar se përkrah planet për të krijuar qendër të përbashkët trajnimi me Bjellorusinë.

Kjo deklaratë e tij, pati ardhur pasi në tetor është raportuar për formimin e një force të përbashkët të Minskut me Moskën.

Të dyja shtetet kryejnë shpesh stërvitje të përbashkëta ushtarake, duke insistuar se qëllimet janë krejtësisht për mbrojtje./REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë