Gazeta Si – Vladimir Putin, në fjalimin e tij për gjendjen e kombit drejtuar Asamblesë Federale Ruse, përpara dy dhomave të Parlamentit, përcaktoi qëllimet e tij për vitin e dytë të pushtimit të tij në Ukrainë.
Ai e nis me një frazë emblematike: “Ne kemi bërë gjithçka që është e mundur për të zgjidhur çështjen e Donbasit në mënyrë paqësore”.
“Nuk kishim asnjë dyshim, se në shkurt ata kishin gati operacione ndëshkuese në Donbas, ku tashmë kishin kryer bombardime dhe kjo ishte në kundërshtim me rezolutën e OKB-së. Ishin ata që e filluan luftën, ne përdorim forcën për ta ndalur atë”. Dhe më pas siguron: Rusia do të vazhdojë “sistematikisht” ofensivën në Ukrainë.
Sulmi ndaj Perëndimit dhe NATO-s është i drejtpërdrejtë: “Perëndimi ka mashtruar popullin e tij”.
Rusia donte një zgjidhje paqësore për të shmangur ndërhyrjen ushtarake, por Perëndimi po luante “me letra të rreme” për të na mashtruar. Ai shtoi se Ukraina “dëshironte të merrte armë bërthamore”.
Në dhjetor 2021, Rusia dërgoi një projekt garancie dhe sigurie për Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, i cili u refuzua plotësisht: “Prandaj u bë e qartë se kërcënimi do të rritej dita-ditës dhe se deri në shkurt 2022 gjithçka ishte gati për veprime të reja të dhunshme në Donbas”. tha Putin.
“Ne kujtojmë kur në vitin 2014, Donjecku u bombardua nga regjimi i Kievit dhe në 2015 ata tentuan një sulm të ri të drejtpërdrejtë kundër Donbasit”, vazhdoi ai.
“Ne nuk po luftojmë kundër popullit ukrainas, populli ukrainas është peng i regjimit të Perëndimit, i cili për dekada ka plaçkitur burimet e tij dhe ka sjellë njerëzit në varfëri. Perëndimi përdor Ukrainën si terren parakalimi, si poligon zjarri kundër Rusisë. Sa më shumë sisteme me rreze të gjatë t’i ofrohen Ukrainës, aq më shumë do të detyrohemi ta mbajmë kërcënimin larg kufijve tanë. Perëndimi dëshiron të sjellë një konflikt lokal në një dimension global dhe ne do të reagojmë”, shtoi Putin.
Sa më e gjerë të jetë gama e armëve që furnizohet Ukraina nga vendet perëndimore, aq më shumë forcë do të ketë Rusia për të zmbrapsur kërcënimet ndaj territoreve të saj.
“Është e pamundur të mundësh Rusinë në fushën e betejës. Forca e parandalimit bërthamor të Rusisë është 90% e pajisur me armë të avancuara: një nivel që duhet të shtrihet në të gjithë ushtrinë”, – shtoi lideri rus.
Në vitet 1930, vazhdon presidenti rus, Perëndimi i hapi rrugën nazizmit në Gjermani dhe “tani po bën të njëjtën gjë në Ukrainë”.
Ai akuzoi Perëndimin se gjithashtu mbështet mercenarët nazistë në Ukrainë, sepse perëndimorëve “nuk u intereson asgjë dhe janë të gatshëm të përdorin këdo” kundër Rusisë.
Më pas ai flet për armët: “Synimi i Perëndimit është ta çojë Rusinë në një disfatë strategjike, ata duan të na eliminojnë përgjithmonë. Ata nuk e kuptojnë se vetë ekzistenca e Rusisë është në rrezik”.
Pasi ka mbledhur një duartrokitje të gjatë për popullin e Donbasit, ai i drejtohet popullit të tij: “Shumica absolute e rusëve kanë shprehur mbështetjen e tyre për operacionin ushtarak special”. “Tani jemi sërish bashkë dhe do të jemi edhe më të fortë. Ne do të bëjmë gjithçka për të siguruar që paqja të kthehet në tokën tonë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje