Politike

PS shtyn draftet për Metën, Alibeaj: Lustracioni dhe hapja e dosjeve të mos kthehen në luftë politike  

Komisioni i Ligjeve kishte në rend të ditës të martën katër paketa ligjore që lidheshin në thelb me garantimin e pastërtisë së figurës së personave që zgjidhen dhe ushtrojnë funksione publike.

Dy prej tyre propozim i grupit parlamentar i PS-së, një nga një grup deputetësh të pakicës dhe një draft tjetër nga Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit ishte i vetmi që foli për draftin e propozuar prej tij. Në një shpjegim përmbledhës më shumë sesa për përmbajtjen, Alibeaj u përpoq të sqaronte se drafti nuk duhej parë si luftë politike ndaj kundërshtarit.

Një mesazh ky më shumë për PS e cila në thelb dy propozimet e saj për lustracionin i lidh në mënyrë i indirekte me Ilir Metën i cili sipas dokumente të Autoritetit të Dosjeve figuron ish-bashkëpunetor i Sigurimit të Shtetit. Alibeaj sqaroi se nuk duhen gjykuar personat por aktet dhe pasojat që kanë sjellë    

 “Ajo që unë doja të thoja është fakti që kur bëhet fjalë për dekomunistizim, për procesin e dënimit të diktaturës komuniste, e mira por edhe praktika e Europës lindore do të duhet të sjellë një paketë të plotë. Nuk kemi sjellë pjesë të vogël projektligji por paketë të plotë. Përveç ligjit të hapjes së dosjeve kemi paraqitur edhe një projektligj tjetër për burgun e Spaçit dhe për propagandën komuniste e i fundit është ky.

Besoj që është e udhës që për hapjen e dosjeve, jo vetëm publiku duhet të njihet për atë që ka ndodhur në dosjen e ish Sigurimit por edhe institucionet të reagojnë. Ajo që do të doja të thoja është që kurrsesi nuk duhet që ligje kaq të rëndësishme të shndërrohen në akte të luftës politike. Ligje si hapja e dosjeve dhe lustracioni s’duhet të kthehen në luftë politike ndaj kundërshtarëve.

Ky ka qenë gabimi historik që është bërë gjithmonë. Është detyrim ndaj së shkuarës, por mbi të gjitha detyrim i së ardhmes…”, tha Alibeaj

Sipas tij, procesi i lustracionit nuk duhet të jetë kolektiv ku të gjithë të futen  në një thes, por të gjykohen pasojat e akteve.

“Procesi i lustracionit të mos jetë kolektiv ku të gjithë futen në një thes se do të ishte përsëritje e proceseve gjyqësore politike që Sigurimi i Shtetit bënte në atë kohë dhe ne sot duhet ta dënojmë. Instrumenti që duhet të zgjedhim duhet të jetë i profilizuar.

Në këtë projektligj kemi bërë këtë zgjedhje, s’do të mjaftonte thjesht të ishe i skanuar diku si bashkëpunëtor ose spiun i Sigurimit të Shtetit, duhet të vërtetohen aktet konkrete që ke bërë në atë detyrë. Kjo është një risi që duhet përshëndetur. Nuk gjykojmë vetëm njeriun, por aktet, veprat, pasojat”, tha Alibeaj shpjegimi i të cilit u përshëndet nga kryetarja e komisionit Klotilda Bushka e cila në të njëjtën kohë sqaroi se diskutimi nen për nen i projektligjeve do të bëhej në një kohe tjetër, përfshi edhe draftet e PS.

Bushka paralajmëroi gjithashtu se mund të ketë integrim të gjitha propozimeve për lustracionin duke i bërë bashkë në një të vetme si propozimin e Alibeajt ashtu edhe ato të PS.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë