Gazeta Si- Ish-kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e thirrur të Këshillit Kombëtar është shprehur për një fazë të re të revolucionit të shpallur prej tij për rrëzimin e regjimit të Edi Ramës.
Krahas organizimit të protestave, Berisha kërkoi dhe organzimin e strukturave për mbështetjen e kandidatëve të opozitës për zgjedhjet e 14 majit.
“Ne jemi në revolucion, por tani kërkohet një fazë tjetër. Ne hymë në një fazë në të cilën nga mëngjesi deri në darkë duhet të punojmë për fitoren e zgjedhjeve lokale. Kandidatët tanë duket të kenë mbështetje nga strukturat, mbështetjen më maksimale që mund tu japim. Kandidatët tanë duhet të shumëfishojnë çdo përpjekje për rezultatet më të shkëlqyera, por kjo duhet të shkojë paralel me të gjitha format, qëndresën dhe veprimtaritë e revolucionit tonë”, tha Berisha gjatë fjalës tij.
Sipas tij, kjo lëvizje për revolucion bëhet për shqiptarët dhe nuk ka asnjë qëllim partiak, pasi synohet të rrëzohet Rama, si personi që i ka kapur të gjitha pushtetet.
“A e përmbushim vetëm dot ne këtë mision? Jo nuk e përmbushim dot vetëm. Ne përmbushim këtë mision kur të bindim shqiptarët se ky është një revolucion i shqiptarëve, nuk është partiak, është i shqiptarëve që e duan këtë vend. Është i shqiptarëve, me të cilët pavarësisht se mund të kemi mendime të ndryshme, ndajmë vlera të përbashkëta”, theksoi Berisha.
Për realizimin e këtij qëllimi, Berisha përmendi edhe skenarin e vitit 1991 të fillimit të demokracisë kur ai erdhi në pushtet për herë të parë në fillimet e demokracisë.
“Revolucioni i dhjetorit 1990, nuk e realizoi qëllimin e tij as me 1991, as me zgjedhjet e 1991, vazhdoi nuk u ndërpre, por ja arriti qëllimit. Pse ua them unë këtë? Asnjë nuk duhet të mendojë se ne revolucioni do na shmangë nga procedurat kushtetuese, elektorale, jo e jo. Nga asgjë, por askush nuk duhet të mendojë se ato janë zgjidhje. Zgjidhje janë kur ato kombinohen me revolucionin, kjo është zgjidhja. Duhet tu japë një shembull. Disa prej jush e mbajnë mend. Në zgjedhjet e 31 marsit, nuk i bojkotuam në asnjë mënyrë, por pranverën e shtruam. Në pranverën e protestave më të fuqishme. Pse po ua them këtë, po ua them se është e një rëndësie vendimtare që ne të përgatitemi”, theksoi Berisha.
Ndërsa deklaroi se Edi Rama do të hetohet në Shqipëri për çështjen McGonigal dhe do të mbajë përgjegjësi për tentativën për të asgjësuar opozitën shqiptare.
“Hetimi do të zhvillohet edhe në Shqipëri për Edi Ramën. Këta mafiozë hapën në Tiranë biznesin.
McGonigal me asistentët e tij mafiozë Dorian Duçkën e Agron Nezën kalon nga restoranti në restorant e kapnin biznesmen. Këtë gjobvënës të pafytyrë. Edi rama nuk shpëton e nuk do të shpëtojë sepse shqiptarëve iu janë vendosur gjoba shumëmilionëshe. Ai mori një apo dy njerëz peng, por s’mori qindra mbështetës e anëtarë të PD-së, ndaj dhe do të ecim të vendosur për të përmbysur këtë regjim me revolucion, 3 marsi është një ditë e jashtëzakonshme”, theksoi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje