Kryetari i PD-së, Sali Berisha, në konferencën e përjavshme për mediat u fokusua tek intervista e një nate më parë e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili shfaqi pakënaqësi të dukshme edhe ndaj kryeministri Edi Rama.
“Në mënyrë të përsëritur kam deklaruar se përgjegjësia absolute, përgjegjësia kryesore për aferën e inceneratorëve ka vetëm një emër dhe ai është Edi Rama.
Personi tjetër në zinxhir, Arben Ahmetaj u tha dje shqiptarëve të njëjtën gjë: nuk isha unë aq i fuqishëm sa të lëviz qeverinë.
Arben Ahmetaj është mëkatar, por këtu ka të drejtë.
Përveç kryeministrit dhe zyrës së tij nuk ka njeri që mund të mbledhë 17 dokumente për 24 orë nga qeveria.
Përveç kryeministrit, askush tjetër nuk mund të lëvizë zyrat kryesore të administratës për të grumbulluar 17 dokumente të firmosura nga zyrtarët në një ditë.
Çfarë tregon kjo? Interesin absolut të Edi Ramës për aferën. Ai i dha këtë mesazh Edi Ramës, por unë u them ju me përgjegjësi të plotë se ai nuk ka vetëm këtë provë për Edi Ramën.
Mos bëj gjykatësin, i tha Ramës. Ai zgjodhi këtë argument, në pamje të parë të pafajshëm, por ai disponon fakte përvëluese për presionin e jashtëzakonshëm të Edi Ramës në këtë aferë.
Kurrë një kryeministër nuk mund të firmosë një kontratë, për të cilën institucioni kombëtar i specializuar i thotë se është e paligjshme. Një kryeministër i firmos vetëm kur e ka firmën e vet”, tha Berisha.
Më tej ai shtoi: “Ka një moment që vetëm Edi Rama mund ta lëvizë: fondin rezervë të Këshillit të Ministrave.
E gjithë qeveria të bëhet së bashku, atë nuk e lëviz dot pa firmën e kryeministrit.
Këtu është Arben Ahmetaj brenda. Se dje u hoq sikur është dorëjashtë. Se ai ka firmosur për fondin rezervë të Këshillit të Ministrave. Ka zbatuar një urdhër të paligjshëm dhe është përgjegjës.
Arben Ahmetaj, në intervistën e tij, ia numëroi ku e meritonte, Erion Velisë.
Dhe aty, Arben Ahmetaj ka të drejtë. Sepse ai vetë, thotë që nuk ka firmosur për Elbasanin, Tiranën dhe Fierin. Për Tiranën, e sigurt që nuk ka firmosur. Për Elbasanin, sado që është thënë se Shkëlqim Cani nuk ka firmosur, rezulton se ka firmosur.
Prandaj edhe këtu, ky që e quajnë Tigri i Korrupsionit, nuk ka vënë firmën.
Por nuk ka diskutim se Erion Veliaj, pas Edi Ramës, nga ana ligjore, është njeriu me ligj, më kryesorët.
Sepse djegësi i Tiranës ishte 128 milionë euro. Erion Veliaj shkeli çdo ligj që ajo të bëhej realitet. Firmosi vendime që i takonin Këshillit Bashkiak, firmosi vendime që i takonin Qarkut, kur qarku nuk ishte mbledhur asnjëherë.
Prandaj e tha ai, ndiqni paratë.
E vërteta, Arben Ahmetaj nuk ka firmosur për Tiranën, ka larë duart. Shkruan se ky është një problem i qeverisë vendore. Dhe sipas tij, ka bërë një seri vërejtjesh për këtë. A mund të quhet i pafajshëm ai që sheh krimin, por nuk e denoncon?”
Sipas Berishës, beteja është përsonale mes Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje