Kuvendi ka ngritur në shkurt të një viti më parë një komision të posaçëm parlamentar “për Realizimin e Reformës zgjedhore”, me objektiv “hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, në veçanti trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe për zgjedhjet e mëparshme të patrajtuara, rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, të partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse”.
Në një raport të tij për këtë çështje, Instituti i Studimeve Politike vëren se komisioni nuk funksionoi normalisht dhe Kuvendi e zgjati mandatin e tij 6 muaj në shtator 2022, dhe së fundi, me 23 shkurt 2023 vendosi zgjatjen edhe 6 muaj të tjerë, në një vendimmarrje, ku u dokumentua mungesa në votim e dy bashkëkryetarëve të Komisionit, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj.

“Zgjedhjet vendore zhvillohen në maj 2023, pra në më pak se 90 ditë, ndërkohë që Komisioni nuk ka ende asnjë produkt zyrtar. Pra, Komisioni nuk ka përmbushur detyrimet që burojnë nga objekti i punës sipas vendimit të Kuvendit në shkurt 2022, – trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE-ODIHR të vitit 2021 dhe ato më përpara, të KQZ, të partive dhe natyrisht as të organizatave të shoqërisë civile. Në seancën e fundit të punës së tij në dhjetor 2022, pati disa propozime, por palët përdorën veton kundër njëri-tjetrit, duke pamundësuar vendimmarrjen” vëren ISP.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) shpreh shqetësimin sesi një prej komisioneve më të rëndësishme parlamentare nuk ka arritur të përmbushë misionin e tij, dhe për pasojë, ka pamundësuar reformën zgjedhore në disa elementë thelbësorë të saj.
ISP shpreh habinë sesi Kuvendi merr vazhdimisht vendime për shtyrje mandati, pa marrë në shqyrtim punën, gjendjen, produktin dhe ecurinë gjatë mandateve kohore në dispozicion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje