Bota

Rusia sulmon me dronë iranianë Ukrainën, 9 u rrëzuan gjatë natës në Kiev

Gazeta Si – Rreth 14 dronë janë përdorur nga rusët gjatë natës kundër Ukrainës, 11 prej të cilëve u rrëzuan nga sistemet antiajrore.

Nga këta, “nëntë dronë u rrëzuan gjatë natës në hapësirën ajrore rreth Kievit”, tha administrata ushtarake e kryeqytetit ukrainas, siç raportohet nga “Ukrainska Pravda”.

“Nëntë dronë u rrëzuan në hapësirën ajrore rreth Kievit. Sipas vlerësimeve paraprake, ushtria ruse përdori avionë pa pilot ‘Shahed’ të prodhuar nga Irani. Sulmi u krye në dy valë, sulmi ajror i natës në Kiev zgjati pesë orë e gjysmë. Sipas të dhënave paraprake, nuk ka pasur viktima apo goditje në objektet e infrastrukturës”, tha administrata ushtarake qendrore.

Sipas mediave ukrainase, megjithatë, një civil u vra dhe katër të tjerë u plagosën gjatë “një tjetër sulmi masiv terrorist kundër komunitetit Khmelnytskyi”, i kryer me dronë.

“Deri më tani, dimë për një të vdekur dhe 4 të plagosur”, tha kryebashkiaku i Khmelnytskyit, duke shpjeguar se disa ndërtesa banimi u goditën dhe shpërthyen zjarre.

Personi i vrarë në sulmin rus në Khmelnytskyi, një qytet 320 kilometra në perëndim të Kievit, ishte një vullnetar nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave.

“Ai vdiq duke bërë punën e tij, katër të tjerë u plagosën”, – tha Sergy Kruk, kreu i Shërbimit të Emergjencave, i cituar nga agjencia “Rbc-Ukraine”.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar nga posti komandantin e Operacionit të Forcave të Përbashkëta të Ukrainës (JFO), Eduard Moskalyov.

Njoftimi për largimin e tij vjen në një dekret presidencial, i cili nuk jep asnjë shpjegim për arsyet e masës.

Moskalyov u emërua marsin e kaluar në krye të JFO, e cila koordinon efektivisht ofensivën ukrainase kundër forcave ruse në rajonin lindor të Donbasit.

E themeluar në vitin 2014 si një forcë rezistence pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, JFO ka marrë një rol udhëheqës në operacionet ushtarake kundër forcave ruse gjatë konfliktit të vitit të kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë