Himara pritet të kthehet në një kryebetejë për zgjedhjet lokale të 14 majit. Shkak është bërë lënia si zonë e lirë e Berishës dhe Metës për kandidatin e partisë së Vangjel Dules, Fredi Bejleri.
Emri i tij është kontestuar për shkak të problemeve me drejtësinë shqiptare që lidhne me masakrën e Peshkëpisë në vitin 1994. Në fakt Bejleri nuk u lejua të kandidonte në zgjedhjet e shkuara parlamentare pikërisht për problemet me drejtësinë me një vendim të KQZ-së. Tashmë ai është kandidat zyrtar i asaj pjesë të opozitës që përfaqësohet Berisha dhe Meta.
Lënia e kësaj zone të lire për minoritetin në Himarë, u shoqërua me largimin e Shpëtim Idrizit të PDIU-së nga koalicioni i opozitës. Krisjen e opozitës po tenton ta shfrytëzojë Partia Socialiste.
“Në 1994 ndër personat e pandehur ka qenë ky person dhe është dënuar për pjesëmarrje në një grup të armatosur që sulmoi një repart ushtarak në tokën shqiptare”, tha kreu i grupit të deputetëve socialist, Taulant Balla.
Po këtyre deklaratave reagoi vetë Bejleri duke i cilësuar si shpifje. Z.Balla është mjaftueshëm i informuar se ndaj meje, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pushuar çështjen penale për shkak se: “nuk provohet në asnjë mënyrë lidhja ime me ngjarjen në fjalë”.
Çështja është pushuar edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
“Kjo deklaratë e z. Balla tregon në fakt panikun që e ka zënë Partinë Socialiste nga humbja e pritshme dhe e thellë në zgjedhjet lokale në Himarë. Z. Balla do të marrë përgjigjen e merituar për këtë shpifje të artikuluar prej tij, pikësepari në rrugë ligjore dhe pastaj edhe në datën 14 maj nga gjithë komuniteti himariot! Ndërkohë që drejtësia në Shqipëri më shpalli mua të pafajshëm, pasi nuk gjeti asnjë provë që të tregonte se unë isha i përfshirë në atë ngjarje, ndryshe ka vepruar me Taulant Ballën. Të gjithë shqiptarët e dinë mirë se z.Balla është dënuar nga Gjykata për shpifje. Kam vendosur që menjëherë t’i drejtohem Gjykatës në mënyrë që shpifësi të vuajë pasojat e ligjit përsëri”, reagon Bejleri në rrjetet sociale.
Sipas tij, kjo luftë balte, shpifjeje dhe përçarjeje bëhet me qëllim justifikimin e dështimit të qeverisjes socialiste në Bashkinë e Himarës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje