Kryetari i PD-së, Sali Berisha, foli pas fjalës së mbajtur nga kryeministri Edi Rama. Ndryshe nga herët e tjera, Berisha la podiumin, kur i mbaroi koha e fjalës dhe kryetarja e Kuvendit i kujtoi minutazhin.
“Shqiptarët e panë se këtu pak kohë më parë pikërisht personi që i lëshoi karrigen McGonigalit, foli si një kufomë e pakallur. Foli kështu dhe iku si hije sepse ka kryer krime shumë të rënda. Sepse siç thotë Uashington Post që ai në një dalje televizive e quajti gazetën më serioze, McGonigal dhe Edi Rama janë të zhytur deri në grykë në veprimtari sekrete. Unë nuk kam fakte të zbërthej të gjithë veprimtarinë e tyre sekrete por kam besim të plotë se kjo gazetë ka informacion të plotë mbi llumin McGonigalit dhe Edvin Gonigalit.
Doli këtu dhe mendoi se duke lexuar aktakuzën do mund të mashtronte shqiptarët. Unë dua t’i informoj shqiptarët se ka dy dokumente zyrtare të SHBA-ve, njëri daton në shtatorin e vitit që kaloi. Ai është një vendim gjykate për të hetuar çdo gjë rreth Edi Ramës, çdo sms, çdo komunikim që ka patur me cilindo në botë. Por ky urdhër, u përfshin të gjithëve juve, të hetohen të gjithë ministrat e qeverisë dhe çdo njeri. Pra jeni të gjithë të hetuar. Të gjithë jeni nën hetim, sepse është e pamundur që mos jeni përfshirë në afera kriminale” tha Berisha.
Më tej ai u fokusua tek ai që Rama e ka etiketuar si këhsilltar të jashtëm i përfshire në dosjen e “McGonigal”, Dorian Duçka.
“Edi Rama ka kryer së pari krimin e shëmtuar të rekrutimit me korrupsion të kryeagjentit. Më 9 shtator është takuar me McGonigal në zyrë. Kush ia solli? Duçka juaj. Gënjen ai.
Po çfarë është Duçka? Ai është njeriu që Rama e ka pajisur me pasaportë diplomatike, është zëvendësministri i Ramës që shkruante artikuj kundër gjykimit të Hagës për detin e Kinës Jugore, Duçka është njeriu që organizonte sponsorizimin prej qindra e mijëra dollarësh të ekspozitës së Ramës në Hong Kong.
Duçka është njeriu që solli McGonigal.
A ishte agjent rus McGonigal, këtë e ndan drejtësia e vendit të tij. Por ai ishte tradhtar i vendit të tij.
Edi Rama u miqësua aq shumë me të, sa kishte sekretin më të madh miqësinë me të, nuk e ndante as me shefin e shërbimeve, as me drejtorin e policisë, e ndante me Damianin, edhe me këto këtu…
Nuk është e vërtetë, thotë Edi Rama se nga zyra e kryeministrit u bë porosia për të hetuar lobimin e opozitës. Gjykata amerikane nuk gënjen. Ata disponojnë çdo gjë.
Prandaj kryetari juaj është kufomë e pakallur politike.
Të blejë sa të dojë deklarata, të ardhme nuk ka.
Ne do e heqim atë, komisionin do e krijojmë. Komisioni është detyrim kushtetues…
Tani është koha e opozitës, opozita do transparencë. Asgjë nuk mund të na pengojë ne”. Pas fjalës së mbajtur, Berisha ashtu si edhe Rama u largua nga seanca. Ne nje deklarim per mediat jashte Kuvendit, ai kembenguli per komision hetimor ndaj Rames.
“Krijimi i komisionit hetimor parlamentar është themelor. Ka kryer veprimtari kriminale së bashku me McGonigal.
Ka një lidhje tjetër, të pamohueshme dhe kjo lidhje është Deripaska. Deri në vitin 2018 është sanksionuar në SHBA, por në Tiranë deri në vitin 2020 ka marrë pagesa të rregullta për të gjitha kompanitë e tij të shumta në katër anët e vendit. Janë pagesa nga ente shtetërore.
A e lidhi McGonigal, Ramën me Deripaskën, kjo duhet hetuar. Por faktori Deripaska nuk është vetëm në Nju Jork, por edhe në Shqipëri. Atij i janë disbursuar para të taksapaguesve shqiptare deri në fund të vitit 2022″.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje