Protesta e thirrur nga Sali Berisha nisi gjysmë ore me vonesë. Itinerari ishte i njëjtë. Berisha doli nga selia blu dhe lëvizi në këmbë drejt bulevardit aty ku më herët ishin bllokuar rrugët për kalimin e makinave. Në cepin tjetër të rrugës u nis edhe Ilir Meta. Në një deklarim për mediat ai tha se Rama duhet të ishtë dorëhequr pas skandalit McGonigal.






“…Rama duhet të ishte dorëhequr në kohë, s’duhet të përdorë pozitën shtetërore për imunitet diplomatik. Ka shkelur kushtetutën. Nuk ka asnjë skenar që ndalon opozitën e bashkuar të fitojë zgjedhjet e 14 majit”, tha ai.
Ata iu bashkuan me pas podiumit të ngritur në qosh të kryeministrisë. Thirrjet me pas ishin të njëtta. Filloi thirrjen e disa të rinjve për largimin e Ramës duke vijuar më pas Flamur Nokën. Berisha dhe Meta e ndoqën bashkë protestën në rreshtin e parë.

Protesta zgjati rreth një orës e gjysëm duke u mbyllur aty rreth orës 14.00 të mesditës. Mesazhi kryesor i saj ishte ai i Ilir Metës dhe Sali Berishës. Edhe pse thanë paraprakisht se protesta nuk ishte për vendimin që mund të marrë Apeli, të dy ata i përcollën mesazhet. Meta tha se Rama kërkon të asgjesojë PD-në ndaj dhe ai ishte aty, ndërsa Berisha ishte më i drejtpërdrejtë. Se nëse PD nuk futet në zgjedhje me logon e saj, atëherë Ramën e përjashtojnë nga Shqipëria. Pjesëmarrja në këtë protestë ishte më e pakët nga herët e tjera, ndaj dhe thirrja e Berishës ishte e qartë që njerëzit të mos qëndrojnë indiferentë, vecanërisht të rinjtë.



Pankartat në protestën e PD-së ishin të pakta por me një qëllim. Dy manekinë që simbolizonin Ramën dhe McGonigal të burgosur dhe një parullë tjetër për George Soros.
“Soros vrasës serial i demokracisë”, thuhet në një nga pankartat që për ironinë e fatit ngjitur saj një prej protestuese mbante në dore edhe flamurin amerikan. Ai flamur dalloi nga moria e flamujve të tjerë në protestë që ishin shqiptar dhe të PD-së.



Gjate fjalës së mbajtur Ilir Meta tha se Rama synon te marre edhe vulën e PD.
“Është tronditur në themel siguria juridike, parimi themelor i Kushtetutës sonë. Jemi këtu se këtij nuk i mjafton që zaptoi Partinë Socialiste, me disa njerëz që janë kthyer në kartonë, dhe tani kërkon të marrë edhe vulën e Partisë Demokratike”.
Gjatë fjalës së tij Berisha e cilësoi kryeministrin Edi Rama si armik të shqiptarëve. Sipas tij, qëllimi i opozitës është një; revolucioni.

“Cili është qëllimi i këtij revolucioni? Është përmbysja e monizmit të bazuar në krimin, drogën, në vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve.
Kurrë në histori, një njeri nuk ka vjedhë këtë komb siç e ka vjedhur Edi Rama me organizatën e tij kriminale”, tha ai
Berisha u ndal edhe tek seanca që paralelisht po zhvillohej në anën tjetër në Apel për vulën e PD.
“Nuk është vjedhja e parave problemi më i madh i këtij hajduti të papërmbajtur.
Vjedhja e të ardhmes tonë është akti i tij më makabër. Në 8 vite, 35 përqind e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria.
Në 8 vite, secili prej nesh kemi humbur një të tretën e të dashurve tanë në dhera të tjera.

Me këto ritme, Shqipëria shkon drejt shuarjes dhe zhdukjes. Dhe ky mendon se do jetojë diku në Karaibe apo në ishujt e nxehtë të Oqeanit Indian.
Ne jemi këtu për t’i thënë: Edi Rama, sot ke para, ke banka, ke çdo gjë. Por me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtyre qytetarëve.
Me asgjë nuk mund të mposhtësh idealet e këtij revolucioni.
Sot, pasi asgjësoi PS-në, i hoqi të drejtat, votën dhe çdo gjë. E uzurpoi me sektin antishqiptar të Rilindjes, ai kërkon të asgjësojë PD-në.
Mendon dhe beson se do na përjashtojë nga zgjedhjet. Edi Rama, ne do të përjashtojmë nga Shqipëria!
Ne jemi këtu sa është toka. Revolucioni ka misionin e madh të demokracisë, lirisë dhe shpëtimit të shqiptarëve.
Ndaj, shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje çdo të riu: bashkohuni me këtë revolucion.
Revolucionet i bëjnë të rinjtë, idealet e të rinjve, guximi i të rinjve, i bën ata të pathyeshëm para asgjëje.
Luftoni për veten, për të ardhmen tuaj, për vendin tuaj”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje