Gazeta Si – Në botën e re ruse do të jetë e nevojshme t’i kushtohet edhe më shumë vëmendje asaj që thuhet, çfarë shkruhet, lexohet dhe çfarë mendohet.
Sot është 1-vjetori i parë i ligjit të “fake news”. Ishte data 4 mars 2022, kur Vladimir Putin nënshkroi dispozitën që prekte të gjithë njerëzit që shprehnin mospajtim kundër “operacionit special ushtarak” në Ukrainë.
Që atëherë, përveç mijëra ndalimeve të policisë, janë hapur 175 çështje penale dhe 5601 çështje administrative.
Fjalët e Putinit
Goditja e lirisë së shprehjes dhe opozitës nuk është asgjë e re. Ky është një proces i gjatë, i cili filloi në vitin 2012 pas protestave kundër stafetës së rizgjedhjes së presidentit, i cili ndërroi rolet me Dmitry Medvedev.
Gjithçka nën sytë e Perëndimit, i cili për lehtësi bënte sikur nuk shihte. Por konflikti në Ukrainë i ka dhënë një përshpejtim gjërave.
Pesë ditë më parë, gjatë fjalimit të tij në FSB, Shërbimi Federal i Sigurisë, presidenti ftoi ish-kolegët e tij që të mos e nënvlerësonin situatën.
“Ne duhet të përgatisim të ardhmen tonë. Duhet t’u ndërpresim veprimtarinë atyre që kërkojnë të dobësojnë dhe përçajnë shoqërinë tonë, duke përdorur si armë separatizmin, neonazizmin, çoroditjen e zakoneve”.
Procesverbali i ligjeve
Asambleja Federale e mori menjëherë fjalën. 2022 ishte viti rekord për numrin e ligjeve të miratuara nga Duma, dhoma e ulët e Parlamentit rus.
Gjithsej 709, plus 745 propozime të tjera të paraqitura tashmë, por ende për t’u shqyrtuar. Shumë prej tyre janë shkruar me nxitim për të plotësuar nevojat ushtarake. Të tjerët rregullojnë sferën sociale të jetës ruse.
Por javën e fundit ka pasur një rritje. Të mërkurën, Putin nënshkroi ligjin e ri që ndalon përdorimin e fjalëve të huaja në nivel shtetëror dhe kulturor. Në fjalimin e tij të fundit drejtuar kombit, ai vetë kishte përdorur një duzinë.
15 vjet burg kush kritikon ushtrinë
Të enjten, deputetët miratuan në lexim të dytë dy projektligje që ndryshojnë kodin administrativ dhe penal, duke rritur dënimin deri në pesëmbëdhjetë vjet burg për ata që “diskreditojnë ushtrinë”, por edhe duke e shtrirë krimin në “formacione vullnetare, organizata apo njerëz”, të cilët mbështesin kryerjen e funksioneve që u ngarkohen Forcave të Armatosura”.
Një ndryshim i përshtatur për Grupin Wagner. Po atë ditë, Parlamenti i dha qeverisë kompetencën për të pezulluar “të gjithë informacionin statistikor” nga shtypi dhe kushdo që e kërkon atë. Vlerësimet e gjendjes së ekonomisë do të bëhen gjithnjë e më të pasigurta.
Ndëshkohet çdo fjalë
Një ditë më parë u prezantua një projektligj i ri, sipas të cilit çdo të hënë në klasat e shkollave, përveç flamurit rus, duhet të ngrihet edhe flamuri i fitores (9 maj) në Luftën e Madhe Patriotike.
Tashmë ka nisur diskutimi për ligjin kundër “rusofobisë”, një koncept me një kufi të pasigurt. Synimi është të ndëshkohet çdo fjalë, e thënë kudo, qoftë edhe jashtë vendit, që mund të interpretohet si “dëmtim i imazhit” të “Nënës Rusi”.
Kreu i Këshillit të të Drejtave të Njeriut, Valery Fadeev argumentoi në sallën e gjyqit se Rusofobia ka nevojë për një përkufizim ligjor, në mënyrë që të vendoset përfundimisht përgjegjësia penale për çdo manifestim të saj.
Ai shprehu keqardhjen që tani për tani nuk është e mundur të ndëshkohen qytetarët e vendeve të tjera.
Të premten, më 24 shkurt, Putini shfuqizoi ligjin që ftonte qeverinë ruse të “kultivonte marrëdhënie bashkëpunimi me shtetet e tjera”, bazuar në respektimin e “sovranitetit kombëtar dhe vetëvendosjes së popujve”.
Duma sapo ka miratuar në lexim të parë një dekret që anulon rrethanat rënduese për policët që janë fajtorë për krime. Kështu, rrahja e një demonstruesi mund të gjykohet në të njëjtin nivel si një përleshje mes qytetarëve të thjeshtë.
Patriarku dhe interneti
Tashmë janë zhdukur librat që përmendin personat “me orientim seksual jo tradicional”, por lista e veprave për të cilat Duma kërkon ndalimin, po bëhet kilometrazh. Në Moskë dhe qytete të tjera shpërthejnë konflikte mes të rinjve të frymëzuar nga një “manga” e famshme japoneze.
Ministria e Brendshme thotë se “e gjithë kjo vjen nga Ukraina”. Patriarku Kirill, ftoi të “kontrollohet edhe më shumë aksesi në internet”.
Një deputet propozoi kurse të arsimit ushtarak dhe shërbimin e hershëm ushtarak për të larguar “djemtë tanë nga këto tundime perëndimore”. Rusia e së ardhmes duket gjithnjë e më shumë e tërhequr në vetvete dhe në impulset e veta.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje