Bota

NATO: Mbi 200.000 ushtarë rusë të vrarë ose të plagosur që nga fillimi i luftës

Gazeta Si – Rusia ka humbur më shumë se 200,000 njerëz, përfshirë ushtarë dhe pjesëtarë të forcave të armatosura që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Lajmin e ka dhënë Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Christopher Cavoli, duke e përcaktuar shtrirjen e luftës si “të pabesueshme”, bën të ditur e përjavshmja gjermane “Der Spiegel”.

Deri më tani, më shumë se 1,800 oficerë rusë janë vrarë ose plagosur dhe Moska ka humbur më shumë se 2,000 tanke, shtoi Cavoli, duke vënë në dukje se ushtria ruse godet më shumë se 23.000 predha artilerie në ditë.

Ndërkohë, sipas Kievit, Rusia ka humbur 152,190 ushtarë që nga fillimi i luftës, ku vetëm një ditë më parë, raportohet për 820 anëtarë.

Kjo bëhet e ditur nga buletini ditor i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, i sapo publikuar në Facebook, i cili raporton shifra që nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Sipas raportit ushtarak ukrainas, deri më tani humbjet ruse do të ishin rreth 152,000 burra, 3,409 tanke, 6,683 automjete të blinduara, 2,414 sisteme artilerie, 487 raketahedhës të shumëfishtë, 247 sisteme të mbrojtjes kundërajrore.

Sipas buletinit, i cili saktëson se të dhënat po përditësohen për shkak të luftimeve intensive, forcat ruse do të kishin humbur gjithashtu 302 avionë, 289 helikopterë, 5.289 automjete, 18 njësi detare dhe 2066 dronë.

Sakaq, një pilot rus është dënuar me 12 vjet burg për bombardimin e një stacioni radioteleviziv në Kharkiv në verilindje të Ukrainës. Kjo u raportua nga Shërbimi Shtetëror i Ukrainës për Komunikime Speciale dhe Mbrojtjen e Informacionit.

Piloti, kolonel Maksim Krishtop, u gjet përgjegjës për bombardimin e stacionit me tetë bomba Fab-500 vitin e kaluar.

Avioni i tij ishte shënjestruar nga mbrojtja kundërajrore ukrainase dhe ishte rrëzuar, jo përpara se piloti të arrinte të hidhej, por u arrestua. Stacioni, i përdorur gjithashtu si një sistem paralajmërimi i hershëm, u shkatërrua në sulm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë