Ne rrjet

Një vit qëndresë

“E ke një detyrë: Të shpëtosh sa më shumë ushtarë”… Nga studiues i shkencave politike, në shofer për ekipin ushtarak të Ukrainës.

Nga Xhemajl Rexha* – Piceria “Veteranët” në Kyiv nuk duket si piceritë që rëndom i shohim. Në vend të fotografive të zakonshme të picave, tavolinat e saj, përmbi kanë një xham, brenda të cilit ka plot shufra në formë plumbash. Një pjesë të madhe të murit e zë një automatik, që qëndron varur mbi stemat e policive e ushtrive nga mbarë bota. Kjo është piceria ku mblidhen njerëzit e luftës e edhe vendi ku e takojmë Mykhailo Lavrovskyin.

Jeta e këtij 26-vjeçari të diplomuar për shkencë politike ndërroi rrënjësisht në natën mes 23 dhe 24 shkurtit 2022.

Më 23 shkurt pas mesnate, Mykhailo ishte nisur nga kryeqyteti për në qytezën Vinnytsia, ku jetonin prindërit e tij. Rrugës dëgjoi fjalimin e presidentit rus, Vladimir Putin, që lajmëroi nisjen e pushtimit të Ukrainës.

Edhe Mykhailo, si plot të tjerë në Ukrainë, vendosi se duhet të bëjë diçka për ta luftuar Rusinë.

“Isha në Vinnytsia tek prindërit për disa muaj për të parë çfarë mund të ndihmoj. Në fillim, u ndihmoja miqve në vijën e parë të frontit me dërgimin e veturave të ndryshme që vinin nga Polonia dhe Bashkimi Evropian. Pastaj, nisa ta përdor edhe më shumë Telegramin, ku i merrnim të dhënat rreth loakcioneve të armikut dhe ua dërgonim forcave ukrainase për të sulmuar forcat ruse”, thotë ai.

Por, kjo ndihmë nuk iu duk e mjaftueshme. Përkundër frikës së madhe të prindërve e sidomos, të gjyshërve, Mykhailo vendosi të niset drejt frontit të luftës. Thotë se e përdori një prej aftësive më të mëdha që ka — drejtimin e veturave të rënda. Bashkë me ekipin mjekësor, u angazhua për t’i shpëtuar ushtarët e plagosur.

Mykhailo Lavrovskyin në picerinë “Veteranët”. Foto: Agron Berisha.

“Kisha shumë miq në ushtri dhe kur lufta nisi, menjëherë i thirra për t’i pyetur se për çfarë kishin nevojë. Nisa të grumbulloj para dhe në prill [2022] vendosa të bëhem pjesë e ekipit vullnetar mjekësor, të shkoj në frontin e luftës dhe të ndihmoj direkt. Unë jam shoferi i CASEVAC [prej Casualty Evacuation –– term ushtarak për ekipin që evakuon të plagosurit nga zonat aktive të luftës] dhe e kemi mision që të shpëtojmë sa më shumë jetë që është e mundur”, tregon ai.

Të qenit në këtë pozitë e ka bërë atë shumë më të fortë sesa që ishte para pushtimit. Para syve ka pasur njerëz të plagosur e të vrarë nëpër zona që bombardohen vazhdimisht nga ushtria ruse.

“Kur je atje, perceptimi për gjithçka ndryshon. Para luftës, kam pasur frikë edhe ta shpoj gishtin për të dhënë gjak –– alivanosesha. Por tash kam parë kaq shumë të plagosur, disa të vdekur dhe thjesht truri të punon ndryshe. E din që e ke vetëm një detyrë: të shpëtosh sa më shumë njerëz dhe të kujdesesh që të vdekurit të kthehen për varrim tek familjet e tyre”, thotë Mykhailo. “Unë e kam gjetur këtë rol që më përshtatet sepse nuk jam ushtari super cool, por jam shofer i mirë. Të vozis në frontin e luftës teksa bombardohemi nga rusët, është gjëja më e mirë që di ta bëj”.

Mykhailo thotë se në muajt e parë sa ka qenë në rajonin e Donetskut, kanë arritur të shpëtojnë mbi 300 ushtarë. Ndjenja më e vështirë për të është ajo e pafuqisë kur nuk arrijnë te të plagosurit, që eventualisht vdesin.

“E keqja është që ndonjëherë nuk mund të arrijmë fare në një zonë të caktuar kur i plagosuri mund të jetë për t’ia dhënë ndihmën e parë sepse mund të ketë një tank rus që gjuan dhe nuk e kemi lejen e komandantit për të shkuar”, tregon Mykhailo. “Pastaj e dëgjojmë në radio që nuk ka më të plagosur, por vetëm të vdekur. Kjo është më e vështira sepse ende beson se mund të bësh diçka dhe pastaj e merr vesh që personi ka vdekur dhe kjo është ndjenja më e vështirë”.

Ai tani është në Kyiv dhe po përgatitet që shumë shpejt ta kompletojë ekipin për t’u kthyer në zona lufte. Për një vit luftimesh, sipas tij, kryeqyteti i katër milionë banorëve ka ndryshuar shumë, nga një “qytet me pamje gati apokalitike pa njerëz e vetura në mars 2022”, në një qytet pothuajse normal në shkurt 2023, me “shumë vetura, njerëz dhe restaurante të hapura”.

E përderisa lufta nuk jep shenja përfundimi të shpejtë, Mykhailo thotë se po përgatitet shpejt për një mision të ri në terren për të shpëtuar më shumë jetë ushtarësh.

“Ditëlindja tjetër në Ukrainën e lirë”

Në kufi me Ukrainën, një ushtar hyn në autobusin polak për të na i mbledhur pasaportat. Procedura është shumë e shpejtë dhe e zakonshme. Majtas e djathtas i mbledh pasaportat e qytetarëve të Ukrainës, që kthehen nëpër shtëpitë e tyre, në qytete të ndryshme të shtetit në luftë.

Lehtësia me të cilën përcillet grumbullimi të pasaportave ndryshon kur një pasaportë e huaj dhe e largët i del përpara. “Kosovo?!” çuditet ushtari kur e merr pasaportën e lëshuar në Prishtinë. “Ku po shkoni?”, pyet menjëherë.

“Në Kyiv, jemi gazetarë”. Kërkon akreditimin për medie, që aprovohet nga Forcat e Armatosura Ushtarake të Ukrainës, e cila, më shumë se viza ukrainase, është lehtësia më e madhe për të kryer punë mediale në zonat ku ka luftime dhe ku operohet me orë policore. Pa kartelën me ngjyrë të gjelbër ushtarake nuk mund të xhirohet as nëpër rrugët e Kyvit.

Kartela ime mban numrin 13962. Prej shkurtit kur m’u aprovua kjo kartelë e deri në fund të javës së përvjetorit të parë të pushtimit, kufirin me shtetin miqësor të Polonisë do ta kenë kaluar mbi 14,000 gazetarë, fotografë, kameramanë e punonjës tjerë medial.

Një vit prej që Rusia pushtoi Ukrainën, s’pushon lufta, por as shpresa për liri.

Një tabelë e madhe “Ukraina” me ngjyrat verdhë e kaltër është mirëseardhja në rrugën, që e kanë bërë miliona refugjatë gjatë një viti. Ata u detyruan të ikin nga shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve të pandalura ajrore ruse dhe okupimit të disa pjesëve të shtetit.

Ngjyrat e njëjta në forma të ndryshme shfaqen gjithkund rrugës nëpër fshatrat e vogla e qytetet më të mëdha në perëndim të Ukrainës. Billbordet në rrugët në të cilat autobusi disa herë bie në gropë, ofrojnë mesazhe lutjeje. Shumë prej tyre, të nënshkruara nga Kisha Ortodoske Ukrainase, thonë “Zot, ruaje Ukrainën”, “Zot, sill paqe”.

Me t’iu afruar Kiyvit shtohen post-blloqet e ushtrisë. Veturat e autobusët ulin shpejtësinë dhe ndonjëra edhe mund të ndalohet e kontrollohet nga ushtria ukrainase. Brenda pengesave të improvizuara janë të vendosura forcat e armatosura, që janë aty prej kohës së marrjes së sërishme të kontrollit të këtyre territoreve nga Ukraina, në atë që njihet si procesi i “deokupimit”.

Rruga rreth 900 kilometra nga Polonia shkurtohet dukshëm kur i afrohemi qytetit të Zhytomyrit, ndër më të mëdhenjtë afër kryeqytetit. Zhytomyri është përdorur si korridor për ata që kanë ikur në fillim të pushtimit, në drejtim të perëndimit të Ukrainës, që për pjesën më të madhe të pushtimit tashmë një-vjeçar, ka qenë i paprekur nga luftimet. Dy civilë ishin vrarë në sulmin e parë në shkurt 2022 e i fundit sulm në Zhytomyr ndodhi në dhjetor 2022, kur disa raketa u hodhën në infrastrukturën e energjisë.

Autobusët këtu vazhdojnë të vijnë nga Khersoni, Odessa e të tjera zona, ku paqja nuk gjen vend.

150 kilometra më larg, jeta në kryeqytetin e mbi 4 milionë banorëve duket normale. Dyqanet, bankat, shkollat zhvillojnë aktivitetet e zakonshme.

“Guximi është brend ukrainas”, thuhet me shkronja të mëdha të kaltërta, mbi një pëlhurë të verdhë varur në dritaren e një dyqani rrobash. Në vend të banerëve të zakonshëm “Zbritje” që ngjiten dyerve e dritareve të dyqaneve, vendasit kanë zgjedhur që gjithkund ta shfaqin krenarinë për “brendin ukrainas”, që, sipas tyre, nuk blihet me asnjë çmim. Dritat janë kthyer sërish, pas një kohe të gjatë të fikjes së programuar për të kursyer rrymë, si pasojë e sulmeve ruse në termoelektranat e shtetit.

Njerëzit e parë që takojmë në Kyiv janë Sergeiy, Lina dhe Andreii nga NUJU – Sindikata e Gazetarëve Ukrainas. Shkresat online, thirrjet e shumta për një vit të bashkëpunimit për strehimin e gazetarëve ukrainas në Kosovë materializohen më në fund në një takim fizik pikërisht në përvjetorin e parë të punës më të vështirë në historinë e medieve këtu.

Prej prillit 2022 e deri tash, në Kosovë janë strehuar 13 gazetarë ukrainas, përmes programit që financohet nga Qeveria e Kosovës dhe zbatohet nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe të Medias (ECPMF) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Sergeiy, Lina dhe Andreii na dërgojnë për darkë në një zinxhir të njohur restarurantesh në kryeqytet. Quhet “Musafir” dhe pronarët e personeli janë nga Krimea. Simbolika e dukshme: “Krimea është Ukrainë” ose “do të bëhet sërish kur kjo luftë e përgjakshme të marrë epilog”.

Mysafirëve në tavolinën ngjitur u shkon një tortë e madhe dhe këndohet “Happy Birthday” [Gëzuar ditëlindja!]. I gjithë restauranti i bashkohet këngës dhe një dëshirë e vetme lexohet në sytë e secilit: “ditëlindja tjetër në Ukrainën e lirë”.

Teksa afrohet ora 22:00, papritmas bie një qetësi dhe nuk ka njerëz përreth. Klientët e restaurantit ikin në shtëpitë e tyre, për t’i lënë vend mbylljes së tij. Pak muzikë dëgjohet në rrugë. Dikush përfundon cigaren e fundit. Me duar në xhepa nga i ftohti, secili niset drejt strehës së vet. Shpejt fillon ora policore.

Në orën 23:00, Kyivi fle. Me frikën e miliona banorëve të tij, që një sirenë e madhe mund t’i zgjojë për t’i lajmëruar për raketat ruse.

Ato mund të fluturojnë mbi kokat e tyre në çdo kohë. /kosovotwopointzero

*Xhemajl Rexha është gazetar nga Kosova, aktualisht kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Nga viti 2005 deri në vitin 2020, ka punuar në Kohavision, mes tjerash si kryeredaktor, dhe më pas drejtor informacioni në Kanal10.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë