Bota

Brazil, Bolsonaros i sekuestrohen bizhuteritë dhuratë nga Arabia të futura kontrabandë

Gazeta Si – Ish-presidenti brazilian, Jair Bolsonaro dyshohet se ka tentuar të kontrabandojë në Brazil bizhuteri me vlerë 3.2 milionë euro.

Lajmi raportohet në një hetim ekskluziv nga gazeta braziliane “O Estado de Sao Paulo”, e cila shkruan se episodi ndodhi në tetor 2021 dhe se ngarkesa, e padeklaruar kurrë, u sekuestrua nga autoritetet në aeroportin ndërkombëtar të Guarulhos në São Paulo.

Gazeta pretendon se bëhet fjalë për bizhuteritë që ish-presidenti dyshohet se i ka marrë dhuratë nga autoritetet saudite për bashkëshorten e tij, Michelle. Mes tyre “një gjerdan, një unazë, një orë dhe një palë vathë diamanti”.

Informacioni për sekuestrimin është konfirmuar nga ministri i Komunikimeve Sociale, Paulo Pimenta, i cili ka publikuar fotot e bizhuterive në profilin e tij në Tëitter.

“Bolsonaro u përpoq të mbante në mënyrë të paligjshme një gjerdan dhe një palë vathë diamanti me vlerë 16.5 milionë real. Dhuratat iu dorëzuan Arabisë Saudite në fund të vitit 2021. Petrobras sapo i kishte shitur një rafinerie për 1.8 miliardë dollarë një grupi saudit”, shkroi ministri.

Agjentët dyshohet se gjetën bizhuteritë në çantën e shpinës së një prej shoqëruesve që po kthehej në Brazil dhe verifikuan se asnjë nga objektet nuk ishte deklaruar më parë gjatë kalimit në doganë, siç e kërkon ligji.

Ish-ministri i Minierave dhe Energjisë, Bento Albuquerque ishte përpjekur disa herë për të rikuperuar bizhuteritë pa sukses.

Gazeta braziliane thekson se në dy muajt e fundit të mandatit të Bolsonaros, janë bërë katër përpjekje, duke përfshirë ministritë e Jashtme dhe të Ekonomisë, për të rimarrë dhuratën e çmuar, të cilat të gjitha kanë dështuar.

E vetmja mënyrë për të rikuperuar bizhuteritë për Bolsonaron, do të ishte pagimi i taksës së importit të detyrueshëm, 50 për qind e vlerës së objektit në fjalë dhe një gjobë prej 25 për qind të vlerës për mosdeklarim që në fillim.

Opsioni tjetër do të ishte shpallja e tyre si “dhuratë zyrtare për Presidentin e Republikës”, por gazeta sqaron se në këtë mënyrë ata do t’i përkisnin shtetit të Brazilit dhe jo Bolsonaros.

Bolsonaro ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Florida, që para përfundimit të mandatit të tij dhe rrezikon arrestimin pas kthimit të tij në Brazil. Ish-presidenti është në fakt subjekt i një hetimi lidhur me sulmin ndaj selisë së qeverisë më 8 janar në Brasilia, ku ai po hetohet për nxitjen e një përpjekjeje për grusht shteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë