Bota

Rusia sulmon Ukrainën me breshëri raketash, 5 viktima dhe shpërthime në disa qytete

Gazeta Si – Të paktën 5 persona humbën jetën pasi Rusia lëshoi breshëri raketash mbi gjithë territorin e Ukrainës, duke sulmuar infrastrukturën energjetike të vendit, më 9 mars.

Katër persona u vranë në rajonin e Lviv pasi një raketë goditi një zonë të banimit, tha guvernatori i qytetit, Maksym Kozytskyi. Një tjetër person u vra dhe dy të tjerë u plagosën në sulme të shumta në rajonin e Dnipropetrovsk.

Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan për orë të tëra në të gjithë vendin, përfshi kryeqytetin e Kievit, ku edhe ndodhën shpërthime në dy zona perëndimore. Sistemet e mbrojtjes u aktivizuan në të gjithë vendin dhe nuk ishte e qartë se sa raketa goditën objektivat.

Në Ukrainën lindore, 15 raketa goditën Harkivin dhe rajonin periferik verilindor, duke goditur ndërtesat e banimit.

Guvernatori i rajonit jugor të Odesës, Maksym Marchenko, gjithashtu raportoi për sulme mbi objektet e energjisë dhe ndërtesat e banimit në këtë qytet.

Termocentrali bërthamor i Zaporizhjas, i cili është i pushtuar nga forcat ruse, ka humbur energjinë si rezultat i sulmeve me raketa, sipas operatorit shtetëror bërthamor, Energoatom.

Ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko i cilësoi sulmet si “një tjetër sulm masiv barbar në infrastrukturën energjetike të Ukrainës”, duke thënë se objektet në rajonet e Kievit, Mykolaivit, Harkivit, Zaporizhjas, Odesës, Dnipropetrovskut dhe Zhytomirit ishin shënjestruar.

Hekurudhat e Ukrainës raportuan ndërprerje të energjisë në zona të caktuara, me 15 trena të vonuar deri në një orë.

Autoritetet në kryeqytet thanë se 40% e banorëve të Kievit ishin pa ngrohje për shkak të ndërprerjeve emergjente të energjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë