Politike

Raporti i ‘Freedom House’: Korrupsioni dhe krimi i organizuar problem serioz në Shqipëri

Gazeta Si – Në raportin e saj vjetor, organizata “Freedom House”, i radhiti të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në mesin e vendeve pjesërisht të lira.

Në pjesën për Shqipërinë, Amy Slipowitz, nga kjo organizatë, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se vendi ynë nuk shënoi ndonjë ndryshim nga e kaluara.

Përparim është bërë vetëm në disa fusha të caktuara, si liria fetare dhe e drejta për tubim, por korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë mbetur në vend numëro.

“Nga ana pozitive, liria fetare dhe liria e tubimit janë përgjithësisht fusha të respektuara. Ka fusha që mund të përmirësohen. Partitë politike janë shumë të polarizuara dhe korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten ende probleme serioze”, tha ajo.

Sipas raportit, Kosova shënoi një përmirësim prej katër pikësh në radhitjen e “Freedom House”, që shkon deri në 100 pikë.

Slipowitz tha se kjo është një nga përmirësimet më të mëdha në mbarë botën në vitin 2022.

“Ndër arsyet e përmirësimit ishin të drejtat politike. Rrjetet klienteliste kanë më pak ndikim në qeverinë aktuale, dhe gjithashtu ka pasur një rritje të përfaqësimit të grupeve të ndryshme si gratë e përkatësisë kombëtare serbe dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT plus, në institucionet qeveritare, por edhe në jetën politike në përgjithësi. Pastaj sa u përket të drejtave qytetare, liria akademike ka fituar terren në Kosovë. Ka më pak ndikim politik në emërimet e drejtuesve të universitetit”, tha ajo.

Sipas raportit, liria në botë shënoi rënie për të 17-in vit me radhë. Një pjesë e mirë e tij i kushtohet luftës në Ukrainë.

“Agresioni i Rusisë, çoi në shkelje shkatërruese të të drejtave të njeriut në Ukrainë”, – vijon raporti.

Në raport thuhet se 84 vende të botës përfshihen na kategorinë e vendeve të lira, ndërsa 57 në vende jo të lira.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë