Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi i dha 48 orë kohë Partisë Demokratike të regjistruar në gjykatë me Lulzim Bashën kryetar që të sjellë dokumentacionin e plotë për tu regjistruar në zgjedhjet e 14 majit.
Për palën e Berishës interpretimi ishte i qartë se KQZ-së nuk vendos se kujt i takon sigla por gjykata, dhe ne regjistrimin e partive politike në gjykatë figuron sigla e PD-së më kryetar Lulzim Bashën.
Në anën tjetër Cerlibashi sqaroi se edhe për palën e Bashës që ka autorizuar Enkelejd Alibeajn ka paqartësi për tu regjistruar. Duke filluar nga përfaqësuesi ligjor i Alibeajt Indrit Sefa që është autorizuar nga ky i fundit dhe jo nga Basha me letra dhe më tej nga vete Alibeaj sa kohe që Kodi Zgjedhor njeh regjistrimin e asaj force politike që ka kryetar partie, dhe ne rastin e Alibeajt shtrohet pyetja se deri ku i ka kompetencat në këtë rast Lulzim Basha lidhur me përgjegjësitë që i autorizon neni 64 i Kodit Zgjedhor.
Sipas tij, mungon një dokument shumë i rëndësishëm, deklarata e kryetarit të partisë me angazhimin për mos blerjen e votave. Deklarata njihet si një ‘përgjegjësi’ e kryetarit të Partisë dhe si e tillë duhet plotësuar vetëm nga ai. Konkretisht, në nje nga pikat e nenit 64 te Kodit kerkohet deklarata me shkrim e nënshkruar nga kryetari i partisë politike ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet. Teksti i deklaratës përcaktohet nga KQZ-ja.
Për këtë arsye, Celibashi i dha 48 orë kohë Bashës (por që është i dorehequr tashmë) që të plotësojë dokumentacionin.
“Të drejtën për të kërkuar regjistrimin e PD, bazuar në dokumente zyrtare e ka Basha. Dokumentacioni duhet të jetë në përputhje me nenin 64. Sipas vlerësimit tim, duhet qe akti autorizues te jetë i qartë, kush e lëshon autorizimin, për kë, dhe veprimet që duhet të bëjnë të autorizuarit. Për të parën është e qartë, nuk kemi paqartësi edhe me personat që autorizohen, të komponenti i 3-të. Nga vlerësimi që i kemi bërë autorizimit për përfaqësuesin, Indrit Sefa, ky dokument nuk është i plotë. Unë vlerësoj se ky dokumentacion nuk është i plotë dhe me përputhje të plotë me kodin zgjedhor. Sipas vlerësimit tim në përputhej me këtë parashikohet duhet të akti autorizues të jetë i qartë. Të jetë e qartë kush e lëshon autorizimin dhe përmbajtja.
Autorizimi është shumë i paqartë. Autorizimi duhet të ishte ‘autorizohet Indrit Sefa që të autorizojë apo të kryejë procedurat e Partisë Demokratike për regjistrim në zgjedhjet e 14 majit 2023. Autorizimit i mungon qartësia. Por të themi për momentin se do të ishte e qartë. Ka edhe një mangësi tjetër në dokumentacionin tuaj që ka të bëjë me detyrimin personal të kryetarit të Partisë Demokratike. Kodi e thotë qartë se deklarata e kryetarit të partisë nuk është kompetencë por përgjegjësi, dhe si përgjegjësi ajo nuk mund të delegohet. Kjo është përgjegjësi tërësisht personale. Pra, nuk është kompetencë por përgjegjësi” tha Celibashi.
Më herët secila nga palët brenda PD kishte kërkuar që të regjistrohet me kryetarin e saj.

Ledio Nuraj i palës së Berishës ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistrimin e kërkesës së tyre për zgjedhjet e 14 majit pasi sipas tij edhe pse ka një vendim të Gjykatës së Apelit ky vendim nuk është i formës së prerë pasi për të do bëhet rekurs ne Gjykatën e Lartë.
Nuraj tha se janë ende në fuqi të gjitha vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit.
“Kemi një kërkesë nga Partia Demokratike Shqipërisë nga kryetari i saj Sali Berisha. I nderuar si kryetar ne kemi depozituar para jush kërkesën dhe bashkëlidhur kemi depozituar të gjithë dokumentacionin. Regjistrimet e fundit Të regjistrueshme aktualisht janë vendimet e Kuvendit Kombëtar të 17 korrikut 2021 dhe organet drejtuese të këtij organi, përveç kryetarit. Zgjedhja e të cilit është ankimuar nga kandidatja rivale. Pra, kryetari ka mbetur i paregjistrueshëm. Komisioni i Rithemelimit ka dorëzuar kërkesën për ndryshimet statutore sipas vendimeve të Kuvendit të PD, i mbajtur më 11 dhjetor 2021, Kuvend i cili është thirrur në bazë të statutit të Partisë Demokratike.
Në vendimin e 25 marsit 2022 Gjykata e Tiranës ka vendosur miratimin e kësaj kërkesë dhe depozitimin dhe regjistrimin e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit në regjistrin e partive politike. Vendimet të cilat unë i citoj ju i keni bashkëlidhur. Ndaj këtij vendimi është bërë ankim në Gjykatën e Apelit3.03 2023 ka vendosur rikthimin e çështjes për rigjykim, pa i hyrë çështjes në themel dhe thotë që lejohet rekurs. Në këtë kuptim vendimi i shkallës së parë është një vendim që nuk është prishur. Në funksion të regjistrimit si subjekt zgjedhor PD ka detyrimin politik, publik dhe ligjor të paraqesë kërkesën përkatëse. Kuvendi i Partisë Demokratike i 11 dhjetorit dhe vendimet e tij dhe organet e tij janë të regjistrueshme. Janë ende në fuqi dhe janë të regjistrueshme që duhet të merren parasysh nga KQZ. Vendimi i Gjykatës së Apelit në këtë rast nuk është i formës së prerë”, tha Nuraj. Më tej ai shtoi: “Askush nuk e disponon deri tani vendimin e Apelit kështu që kemi vendim të ndërmjetëm jo të formës së prerë që ezauron plotësisht në lidhje me regjistrimet në regjistrin e partive politike. Vendimi i shkallës së parë që ne disponojmë është mëse i plotësuar. Në kërkesën për regjistrim si subjekt politik është në fuqi.
Basha rezulton kryetar i PD por në fakt s’është kryetar i PD se ka dhënë dorëheqjen në mënyrë publike. Kërkesa për regjistrim i PD në zgjedhje janë akte ekskluzive që i takojnë kryetarit të partisë dhe s’mund të delegohen nga askush tjetër. Ne i kemi kërkesat dhe dokumentacionin”.
Në anën tjetër përfaqësuesi i PD së Enkelejd Alibeajt i bëri thirrje Celibashit që kërkesa për regjistrim e ‘Rithemelimit’ është e papranueshme pasi kanë folur gjykatat.
“Këto vendime jo vetëm nuk janë të ekzekutueshme, jo vetëm që nuk noterizohen që për fat të keq janë noterizuar. Nuk mund të sjellin asnjë efekt. Në asnjë rresht të këtij vendimi nuk shkruhet Sali Berisha kryetar i Partisë Demokratike, shkruhet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të cili i ka mbaruar mandati në prill të vitit 2022.
Ligji kërkon vërtetim të regjistrimit të partisë në gjykatë, kryetarin dhe të dhëna të tjera. Këto janë dokumente që pranohen nga komisioneri. I nderuar komisioner unë nuk dua t’i hyj më tej këtij debati, nuk është momenti për të bërë debat publik mes demokratëve. Legjitimin këtu e përcaktojnë gjykatat që janë shprehur”, tha Sefa.
Sefa kërkoi regjistrimin e Partisë Demokratike si sigël, por nuk përmendi kryetarin se kush.
Edhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi e kishte te qartë kut tha disa herë se nuk është KQZ që përcakton se kush është drejtuesi i një partie politike. Sipas tij, ligji për partitë politike dhe Kodi Zgjedhor përcaktojnë se cili është organi që vendos mbi regjistrimin e partive poltike që në këtë rast është gjykata
“Kjo do të thotë që është gjykata dhe një dokument që vjen nga gjykata që përcakton se kush është drejtues i një partie politike
“KQZ merr për reference zyrtare atë që është shënuar në gjykatë, dhe ne jemi të detyruar të zbatojmë dhe të marrim në konsideratë atë që është pasqyruar në dokument zyrtar. Pra, bazuar në këtë dokument të drejtën e ka z.Lulzim Basha. Ai figuron në pikëpamjen e ligjit dhe dokumentacionit…”, tha ai. Cerlibahsi e kishte te qartë ndjeshmërinë politike në këtë rast, por sipas tij, ajo që ai ka detyrë është detyrimi ligjor.
“Vendimmarrja e komisionerit bazohet tërësisht në argument ligjor dhe jashtë çdo lloj interesi politik apo tjetër, për të gjitha palët edhe për autorizuesit
Pyetja është se kush vendos për këtë gjë? A vendos komisioneri se kush është organi drejtues? KQZ se ka këtë atribut. Nuk është komisioneri shtetëror që përcakton se cili organ apo person është përfaqësues i një partie politike nuk ka asnjë parashikim të tillë në Kodin Zgjedhor…”, sqaroi ai më herët.
“Unë mund ta pranoj që në perceptimin tim Berisha është kryetar i PD-së, por nuk ndryshon asgjë në përputhje me ligjin pasi duhet të marr në konsideratë një dokument zyrtar të gjykatës. Të drejtën për të regjistruar PD-në, bazuar në dokumentet zyrtare që i janë vënë KQZ-së e ka Lulzim Basha. Ai figuron kryetar i PD-së”, vijoi argumentin Celibashi.
Cështja u mbyll me kontestime nga të dy palët në PD. Njëra palë ajo e Berishës kërkoi gjithë dokumentacionin ta ankimojë pasi në argumentin e tyre edhe autorizimi i Bashës eshte i falsifikuar.
Në anën tjetër edhe Indrit Sefa kërkoi një kopje te vendimit për ta ankimuar brenda dy ditësh në KAS.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje