Politike

Këshilltarët bashkiakë/ Meta publikoi listën, Berisha në “ajër” me emrat e vet

Sali Berisha pritet të jetë pezull sa i përket kandidatëve për kryetar bashkie për zgjedhjet e 14 majit. KQZ-ja i dha të drejtë grupimit Alibeaj, duke e njohur atë si PD-në de jure, ndërsa i kërkoi plotësimin e dokumenteve shtesë brenda 48 orëve nga ana e ish-kryetarit të dorëhequr Lulzim Basha.

Ndërsa Berisha tenton të zgjidhë “hallin” për siglën e PD-së me betejat ligjore, aleati i tij, Ilir Meta nxitoi të plotësojë listat e kandidatëve për këshillat bashkiake.

Për kryetar bashkie ai do të mbështesë kandidatët e Berishës, duke i premtuar të dalin me logon e LSI apo me logon e koalicionit. Një çështje se duket se ka mbetur ende pa e zgjidhur mbetet ajo këshilltarëve, si do të dalin Meta dhe Berisha.

Së fundmi në media doli lista e këshilltarëve të Partisë së Lirisë për këshillin bashkiak të Tiranës. Prej ditësh Ilir Meta ka prezantuar listën e këshilltarëve. Një ditë më parë ish- presidenti ishte në Elbasan. Por ekziston një përplasje këtu dhe ajo lidhet pikërisht me ligjin zgjedhor.

Sipas nenit 165 të Kodit Zgjedhor, e pikërisht në pikën tre përcaktohet se “Koalicionet zgjedhore paraqesin vetëm një kandidat të përbashkët për kryetar bashkie dhe një listë kandidatësh për këshillin bashkiak”. Pra e thënë qartë nëse Meta e Berisha dalin në një koalicion, detyrimisht duhet të kenë një listë të përbashkët këshilltarësh.

Meta e publikoi listën ç’ka për listën e këshilltarëve nxjerr jashtë loje emrat e demokratëve për në këshillat bashkiake.

Nuk dihet nëse Meta do të pranojnë të ndryshojë listat e tij që po i bën publike për këshilltarët, apo do t’ia mbyllë derën Berishës.

Gjithashtu nuk dihet nëse ish-presidenti do të pranojë të heqë Silva Cakën nga kryelista e tij, për ta zëvendësuar me mjekun e njohur Ilir Alimehmeti, i cili nga Berisha është skicuar të jetë kryetar i këshillit bashkiak të Tiranës, kjo nëse e djathta merr shumicën në “parlamentin” e metropolit shqiptar. Berisha mund të tentojë edhe një skenar tjetër, ku kandidatët tij për këshilltarë ti përfshijë te aleatët e tjerë, si për shembull te Partia Republikane e Fatmir Mediut apo PAA-ja e Agron Dukës dhe PBDNJ e Vangjel Dules. Kjo do të ndihmonte të vegjlit të maksimizonin votat e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë