KAS nuk ka pranuar të shqyrtojë ankimimet e Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt duke e rikthyer kërkesën tek komisioneri Ilirjan Celibashi.
Argumenti lidhet me faktin se Celibashi nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar
KAS thotë se fakti që Celibashi la 48 orë kohë për Bashën që të firmoste vetë dokumentet e PD nuk është një vendim përfundimtar por i ndërmjetëm dhe si i tillë nuk mund të merret në shqyrtim.
Të dielën u caktuan edhe relatorët që do të shqyrtojnë kërkesat e dy grupimeve. Ilir Rusmali do të gjykojë ankimimin e Berishës.
“Vendimi i Komisionerit nr. 158, datë 09.03.2023 është për nga natyra e tij vendim i ndërmjetëm. Ai nuk i ka dhënë zgjidhje në themel as kërkesës me nr. 1329 Prot., datë 05.03.2023, as kërkesës datë 06.03.2023. Komisioneri e ka detyrim ligjor që të shprehet me vendim për pranimin ose rrëzimin për secilën nga kërkesat. KAS-i është instancë e ankimit administrativ dhe jo instancë e shqyrtimit fillestar të kërkesave. KAS-i nuk mund të ushtrojë kompetenca, të cilat nuk i janë ngarkuar shprehimisht nga ligji. Kjo do të thotë se ai nuk mund të shprehet për themelin e kërkesave, pa u shprehur më parë Komisioneri si organ kompetent për shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre”, thuhet në vendimin e KAS.

Ndërkohë KQZ ka njoftuar një mbledhje në orën 16.00 për regjistrimin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar por nuk ka përfshirë në rend ditë ndonjë pikë për shqyrtimin e regjistrimit të PD
Në vendimin e KAS ka një vërejtje konkrete edhe për Celibashin.
“KAS-i konstaton se vendimi i Komisionerit për regjistrimin ose jo të kërkuesit si subjekt zgjedhor nuk mund të merret përtej afatit të përcaktuar nga pika 1, e nenit 65 të Kodit Zgjedhor, sepse përndryshe Komisioneri do të cenonte një të drejtë të rëndësishme të kërkuesit në cilësinë e tij si subjekt zgjedhor, të drejtën për të formuar dhe marrë pjesë në koalicione zgjedhore në shkallë vendi”.

Ndërkohë, ajo qe vlen te theksohet se afatet janë tejkaluar tashmë nga Celibashi. Në bazë të Kodit, “çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve”.
A mund të regjistrohet një forcë politike jashtë afateve? Ligjërisht jo edhe pse eksperienca ka treguar se edhe ka ndodhur në të kaluarën. Shkelja e afateve mund të sjellë një tjetër ngerç LIGJOR për regjistrimin e PD. Vetëm nëse gjenden intepretime ‘alla shqiptare’ për të mbyllur njerin sy e vesh e kaluar siglen e PD zyrtare nga KAS sepse nisur nga dokumentet shtese te depozituara nga Alibeaj, sipas te gjitha gjasave, Celibashi nuk ka për ta regjistruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje